Gjashtë kandidatë në West Point

21:07 | 25 Gusht 2025
E.G

Ministria e Mbrojtjes, që nga e hëna ka hapur konkursin për pranimin e 6 kandidatëve për të studiuar në Akademinë Ushtarake në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në West Point.

Për secilin të ri e të re të interesuar që t’i shërbejë vendit, konkursi është i hapur deri më 8 shtator 2025.

Nga ky proces do të përzgjidhen 6 kandidatë, të cilët do ta përfaqësojnë Kosovën në një nga institucionet më të fuqishme të formimit ushtarak në botë.

Por ky përfaqësim i ushtrisë së Kosovës në këtë Akademi nuk është i pari.

I fundit që ka diplomuar në West Point në muajin maj të këtij viti, ishte kadeti i Forcës së Sigurisë së Arlind Sadiku.

Njohuritë dhe aftësitë e kandidatëve që do t’i ndjekin gjatë trajnimeve në SHBA do të shërbejnë për forcimin e kapaciteteve të FSK-së për të ofruar siguri në Kosovë dhe jashtë saj.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve të sigurisë, të cilët inkurajojnë të aplikojnë në këtë konkurs.

“FSK dita ditës ta merr formën e vet që në një të ardhmen e afërt Kosova pretendon që të jetë pjese e BE dhe Aleancës Veriatlanitke që jo vetëm të absorbojë paqe dhe siguri, por edhe të jetë ofrues i paqes dhe sigurisë jo vetëm në rajon por edhe me gjerë…”, ka thënë Avni Islami, njohës i çështjeve të mbrojtjes e sigurisë

Islami ka thënë se numri pjesëtarëve të FSK-së duhet të rritet në kohën kur kjo Forcë është në trevjeçarin e fundit të tranzicionit.

“FSK që nga momenti kur me anë të ligjit është shndërrua në ushtri të Kosovës po e merr formën dhe trajtën e një ushtrie të vërtetë të modernizume pajisur për vetëmbrojtje. Prandaj një ushtri që pretendon të jetë e aftë ta mbroj vendin e vetë duhet me patjetër ta rritë numrin e ushtarëve.., ka shtuar ai.

Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në vazhdimësi, përveç Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kryejnë trajnime edhe akademi të tjera ushtarake, siç është ajo e Gjermanisë, Britanisë së Madhe e Turqisë.

Shpërndaje në rrjete sociale