Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në fjalën e saj para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, paraqiti të arriturat e Republikës së Kosovës në forcimin e demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit, të cilat janë konfirmuar nga organizatat dhe institucionet më të besueshme ndërkombëtare.
Gërvalla theksoi se për të pestën herë me radhë, Banka Botërore e ka renditur Kosovën ndër vendet me rritjen më të lartë ekonomike në Evropë, me parashikim rritjeje prej rreth 4% për vitet 2025 dhe 2026.
“Kosova është një demokraci e pastër perëndimore në Ballkanin Perëndimor. Mbështetja ndaj NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara arrin mbi 90 për qind. Ne jemi vendi më pro-NATO dhe më pro-amerikan në botë”, deklaroi ajo.
Ajo kujtoi se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 shpëtoi popullin e Kosovës nga një gjenocid në zhvillim, ku mbi 13 mijë civilë shqiptarë u vranë nga forcat serbe nën regjimin e Millosheviqit. “Ministri i propagandës në atë kohë ishte Aleksandar Vuçiq, sot president i Serbisë. Prandaj, nuk po flasim për të kaluarën, por për të tashmen”, shtoi ministrja Gërvalla.
Në fjalën e saj, ministrja paralajmëroi se Serbia sot përfaqëson një kërcënim real për paqen dhe stabilitetin në rajon, përmes makinerisë propagandistike të mediave të kontrolluara nga regjimi i Vuçiqit, që përhap urrejtje dhe nxit ndasi etnike.
“Në gjithë Serbinë mund të shihen murale dhe grafite që glorifikojnë kriminelët e luftës dhe ushqejnë frymën e urrejtjes ndaj Kosovës”, tha ajo.
Tutje, Ministrja Gërvalla theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes, drejtësisë, dhe bashkëpunimit të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë, duke u pozicionuar si faktor i qëndrueshëm i sigurisë dhe demokracisë në Ballkanin Perëndimor./Arbresh.info/
Shtëpia e Bardhë u dërgon paralajmërim të madh tifozëve që p...
“Situatë alarmante në Luginë” – Rexhepi: Diskriminimi mund t...
Protesta në mbështetje për UÇK-në në Shkup, reagon Mickovski
Buna nën dritën e hënës, Rama ndan imazhe mahnitëse të lumit
SHBA këshillon qytetarët e saj të largohen nga Venezuela “me...
Më pak se 1% import të energjisë nga Serbia