Gërvalla në Këshillin e Sigurimit të OKB-së: Serbia nuk i fsheh synimet e saj agresive ndaj Kosovës

17:41 | 21 Tetor 2025
E.G

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në fjalën e saj para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, paralajmëroi për rrezikun e vazhdueshëm që paraqet Serbia për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Ajo shfaqi para të pranishmëve fotografi me murale dhe grafite në Serbi që glorifikojnë kriminelët e luftës dhe ushqejnë frymën e urrejtjes ndaj Kosovës me mbishkrimin “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”

“Nuk shkruhet “nëse ushtria serbe kthehet në Kosovë’. Shkruhet ‘kur’. Ata nuk i fshehin synimet e tyre, janë të qartë, hapurazi. Vetëm kohën e lënë të paqartë,” tha ministrja Gërvalla.

Ajo theksoi se, ndonëse Kosova mbetet e përkushtuar ndaj dialogut, ky dialog duhet të jetë i vërtetë dhe parimor, jo një lojë mashtrimi e regjimit të Vuçiqit, i cili ndaj BE-së përdor strategjinë e mashtrimit, ndërsa ndaj fqinjëve ushtron luftë hibride dhe agresion paramilitar.

“Serbia është vendi i vetëm në rajon që po përgatitet ushtarakisht për konfrontim. Ajo është e armatosur nga Rusia dhe Kina, dhe për herë të parë ka zhvilluar stërvitje ushtarake në territorin e Kinës. Ky është realiteti, jo interpretim politik,” tha ministrja Gërvalla.

Ajo theksoi se Kosova, si shteti më i vogël në rajon, ka çdo interes për paqe, por nuk do të pranojë as kërcënime, as shantazhe, duke i bërë thirrje Këshillit të Sigurimit që të reagojë me vendosmëri ndaj politikave destabilizuese të Serbisë./Arbresh.info/