Në mbledhjen e zakonshme të qeverisë që u mbajt sot, zv.kryeministri Dardan Gashi ka kërkuar nga Lista Serbe, që të distancohet nga deklaratat e zyrtarëve të kësaj partie, rreth Masakrës së Recakut.
Ministri i Diasporës, Dardan Gashi, propozoi që përvec aspektit penal që po synohet të futet në ligj dënimi i atyre që e mohojnë gjenocidin, duhet që qeveria e Kosovës të kërkojë nga Lista Serbe, që të distancohet nga fyerjet e zyrtarit të saj, Ivan Todosojeviq, që ia bëri ditë më parë, shqiptarëve dhe Masakrës së Reçakut.
“Përveç që e përkrahi iniciativën e zv.kryeministrit Hoxhaj, në vendet si Gjermania dhe Austria, është vepër penale mohimi i gjenocidit. Ata që i kanë mohuar krimet që kanë ndodhur në Kosovë, i kemi kolegë këtu në qeveri. Duhet të ketë pra edhe një distancim të qartë i një partia politike që është në qeveri, ndaj këtyre deklaratave që i bëjnë eksponentët e tyre, përveç aspektit penal”, ka thënë zv.kryeministri, Dardan Gashi.
Mirëpo, çuditërisht kjo kërkesë e Gashit, është injoruar nga kryeministri, Ramush Haradinaj.
Kryeministri Ramush Haradinaj, tha se distancimi i Listës Serbe nga deklaratat e ish zv.ministrit, Todosijeviq, i cili ishte vendosur në atë post pikërisht si anëtar i Listës Serbe, është temë tjetër, duke mos e proceduar kërkesën e zv.kryeministrit Gashi.
“Këto janë dy tema. Ju keni dalur pak prej teme, se na mund të diskutojmë pastaj edhe për aktet tjera politike, por sa i përket propozimit të zv.kryeministrit Hoxhaj, që qeveria të merr vendim për të hartuar bazë ligjore, pra ta autorizojë ministrinë e drejtësisë. Nëse ka dikush me diskutu mujmë me diskutu, nëse jo kalojmë në votim”, tha kryeministri Ramush Haradinaj.
Në 20 vjetorin e Masakrës së Recakut, Ivan Todosijeviq, fyeu dhe ofendoi publikisht shqiptarët, e veçmas luftën e fundit në Kosovë. Ai tha se shqiptarët janë terrorist dhe Masakra e Recakut, ka qenë trillim.
“Shkak për agresionin në vendin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi, Reçaku i trilluar, dhe ishin pikërisht ata, shqiptarët terroristë, të cilët e kanë trilluar gjithë këtë, kanë kryer krimet më të rënda në Kosovë e Metohi për të cilat deri në ditën e sotme askush nuk është përgjigjur. Kanë kryer krime para agresionit të NATO-s, vranë serbë të mirë shtëpiakë dhe policë në vendet e tyre të punës. Prirjen e tyre përgjak e vazhduan edhe gjatë agresionit dhe pas të ashtuquajturit misionit paqësor në Kosovë e Metohi”, kishte deklaruar ministri tashmë i shkarkuar i Qeverisë Haradinaj, Ivan Todosijeviq gjatë një tubimi në Zveçan për të shënuar 20 vjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe.
E, teksa nuk ka ardhur ende distancimi i Listës Serbe, nga kjo deklaratë, atë e përkrahu presidenti serb, Aleksandër Vuciq.
Ai gjatë ditës së djeshme, tha se Todosijeviq e ka thënë të vërtetën, teksa sërish mohoi krimet e kryer në Kosovë, duke thënë se “Masakra e Recakut, ishte trillim nga William Walker”.
Sipas tij, autoritetet kosovare po duan që serbëve t’ua ndalojnë edhe mendimin e lirë, duke shtuar se Todosjeviq, u shkarkua vetëm për shkak se i tha të vërtetën rreth Reçakut, megjithëse, siç thotë ai, sot të gjithë e dinë se masakra e Reçakut ishte fabrikimi nga William Walker.
“Është sikur të ishin djemtë e mirë që luftuan për liri, sikur Todosijeviq të kishte vrarë 19 dëshmitarë, e jo dikush tjetër. Ai ka thënë diçka që nuk i pëlqen lobi kriminal shqiptar …”, ka thënë ndër të tjerash Vuçiq.
Kjo nuk është hera e parë që zyrtarë të Listës Serbe – parti në pushtet në Kosovë dhe më e madhja e komunitetit serb, kanë fyer historinë e shqiptarëve, sidomos periudhën e fundit të luftës në vend.
Para Todosijeviqit, kishte qenë edhe Vesna Mikiq, e cila po ashtu mbante postin e zv.ministres, e cila fyeu sërish shqiptarët.
Si njëra nga zyrtaret më të larta të Listës Serbe, edhe Mikiq, i quajti shqiptarët terroristë.
Përveç këtyre, në qeverinë e kaluar, që udhëhiqej nga Mustafa, kishte qenë Oliver Jabllanoviq, i cili fyeu nënat gjakovare, që i kanë bijtë e tyre ende të zhdukur nga lufta e viteve ’98-99 në Kosovë.
Për të gjitha këto, Lista Serbe, asnjëherë nuk është distancuar nga deklaratat e zyrtarëve të partisë së tyre.
Vuçiq mirëpret lehtësirat për serbët në Kosovë në kuadër të ...
Protestë në Jarinjë kundër zbatimit të ligjeve të Kosovës, p...
Ronald Araujo preferon largimin, Barcelona i vendos çmim të ...
Komandanti i KFOR-it kërkon drejtësi për sulmin në Banjskë: ...
Vdes filozofi gjerman Jurgen Habermas
OVL-UÇK kritikon Dhomat e Specializuara: Procesi është i një...