Fundi i vie fusnotës (Kosovë*), pas këtyre zhvillimeve

08:13 | 8 Maj 2021
A Z

Në bazë të një marrëveshjeje në kuadër të dialogut me Serbinë në Bruksel, emrit të Kosovës ishte vënë fusnota (Kosovë*) që ta mundësojë përfaqësimin e Kosovës në konferenca e nisma rajonale e edhe ato të nivelit më të gjerë ndërkombëtar.

E si e tillë kjo fusnotë ishte menduar si një formë e thyerjes së akullit midis dy palëve në forume rajonale.

Njohës i çështjeve për integrime evropiane, Emrush Ujkani, për arbresh.info tha se arritja e marrëveshjes finale me Serbinë automatikisht duhet ta heq fusnotën.

“Pa pas nevojë fare me këmbëngul delegacioni i jonë në atë pikë vetë arritja e një marrëveshje finale në mes Kosovës dhe Serbisë e nënkupton edhe atë që ajo fusnotë duhet të hiqet pasi që ajo nuk do të ketë kurrfarë efekti. Nëse kemi një realitet të ri që Kosova dhe Serbia definojnë marrëdhëniet e veta në mënyrë reciproke është e kuptueshme që ajo fusnotë duhet të largohet”, tha Ujkani.

Fusnota ka ardhur si rrjedhojë e asaj se Serbia nuk e ka njohur subjektivitetin juridik të Kosovës dhe rrjedhimisht kjo ka qenë konsekuencë.

Prishtina dhe Beogradi kanë zhvilluar dialog, herë pas here për mënyrën e normalizimit të marrëdhënieve të tyre së paku që nga viti 2006.

E se njohja e Serbisë sjellë përfundimin e marrëveshjes dhe heqjen e fusnotës, e thotë edhe drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha.

“Është e qartë se çdo dite e më shumë po shohim intensifikim të vullnetit ndërkombëtarë për përfundimin e dialogut Kosovë – Serbi. Në këtë drejtim, duhet pritur intensifikim të dialogut gjatë 2021. Patjetër se njohja nga Serbia do jetë element thelbësor i marrëveshjes përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe rrjedhimisht kjo do të nënkuptonte edhe heqjen e fusnotës”, deklaroi Shasha.

Analistja Aferdita Maliqi për arbresh.info po ashtu tha se me njohjen e Kosovës do të bjerë poshtë edhe fusnota.

“Qëllimi i këtyre bisedimeve duhet të jetë njohja reciproke dhe me njohjen duhet të bjerë poshtë edhe fusnota për Kosovën”, tha Maliqi.Ndryshe marrëveshja për fusnotën, ishte arritur më 24 shkurt të vitit 2012 në Bruksel në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, me ç’rast nënkuptonte pozicionin e palëve karshi statusit të Kosovës, më saktësisht pozicionin e Serbisë në përputhje me Rezolutën 1244 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, si dhe pozicionin e Kosovës./S.D/arbresh.info/