Fitorja në zgjedhjet parlamentare nuk i garanton Vetëvendosjes të njëjtin sukses edhe në ato lokale

09:00 | 29 Korrik 2021 | Sahide Dedushi

Fitorja e bindshme e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit, nuk i garanton këtij subjekti politik të njëjtin rezultat edhe në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në tetor të këtij viti.

Madje, njohësit e çështjeve politike në vend shprehen të bindur se VV nuk mund të arrijë suksesin e zgjedhjeve të fundit parlamentare në ato lokale që do mbahen pas tre muajsh, shkruan arbresh.info.

Ata, pohojnë se fitorja në zgjedhjet e përgjithshme nuk mund të lidhet me atë të zgjedhjeve lokale.

Suksesi dhe mossuksesi i këtij subjekti sipas njohësve të çështjeve politike varet krejt edhe nga kandidatët që do të propozojë kjo parti për kryetarë komunash.

Maliqi: Nuk besoj se VV do të mund të fitojë 50% të votave në zgjedhjet komunale

Analistja Afërdita Maliqi, tha se në zgjedhjet lokale fituesin në të shumtën e rasteve e përcakton balotazhi, dhe LVV ka dështuar me udhëheqjen e dy komunave më të mëdha.

“Zgjedhjet lokale dallojnë nga ato parlamentare, sepse shpesh balotazhi e përcakton fituesin, pavarësisht nga rundi i parë, që ndonjë kandidat mund të dalë i pari. Në rastin e VV, dallon logjika nga ato parlamentare, shto këtu që edhe dy komunat që ka fituar VV, (Prishtina dhe Prizreni), kanë dështuar në udhëheqje, pra kemi pas keqmenaxhim”, shprehet Maliqi për arbresh.info.

Maliqi bëri të qartë se  nuk beson aspak që Vetëvendosje do arrijë të marr 50%  të votave në zgjedhjet lokale.

“Ne duhet të shohim edhe kush do të jenë kandidatët për kryetarë, pasi VV, ende s’i ka bërë publik emrat e kandidatëve të saj për zgjedhjet lokale, por nuk besoj se VV do të mund të fitojë 50%”,  thotë Maliqi.

Muhaxheri: Vetëvendosje ka problem me gjetjen e kandidatëve për kryetarë komunash

Në anën tjetër, analisti Arton Muhaxhiri pretendon se ekziston një “luftë” brenda VV-së për caktimin e kandidatëve për kryetar komunash.

Muhaxhiri për arbresh.info shprehet se Vetëvendosje ka problem me gjetjen e kandidatëve për kryetarë komunash. “Lufta” mes vete brenda partisë, sipas tij, është e pranishme.

“Fryma e zgjedhjeve nacionale assesi nuk do të ndikojë në zgjedhjet lokale, sepse janë dy nivele të zgjedhjeve që dallojnë shumë njëra me tjetrën. Me problemet që i ka VV nëpër degët e saj e ka të pamundur t’i arrijë 50%.  Në disa komuna nuk po gjejnë dot kandidat në disa të tjera i kanë nga dy tre kandidat që kanë “luftë” mes veti, por që asnjeri nuk shquhet për diçka të veçantë”, deklaroi Muhaxhiri.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit parlamentare që u mbajtën me 14 shkurt 2021 mori besimin e  rreth 50% të votuesve, duke lënë shumë larg vetes partitë tjera.

Deri tash ky subjekt politik nuk ka zyrtarizuar asnjë kandidat për kryetar në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor 2021 ./S.D/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara