E-mailat jo zyrtare që po u adresohen qytetarëve, Policia e Kosovës: Janë false, po përdoren për qëllime të caktuara

11:48 | 6 Nëntor 2025
E.K

Një dukuri e pranimit të e-mailave kinse nga zyrtarë të lartë të Policisë së Kosovës është hasur nga një numër i caktuar i qytetarëve, e duket të ketë qenë mjaftë shqetësuese për ata.

Pas pranimit të këtyre informacioneve ditën e sotme PK ka reaguar duke mohuar një gjë të tillë dhe duke siguruar qytetarët se të tilla mesazhe janë false dhe nuk kanë të bëjnë me këtë insititucion.

Policia e Kosovës (PK), përmes kësaj komunikate zyrtare, njofton opinionin publik lidhur me qarkullimin dhe shpërndarjen nëpër e-mail-e të ndryshme, të disa informacioneve jozyrtare (false/rreme), që kinse i përkasin Policisë së Kosovës dhe organizatave të ndryshme, informacione këto kinse janë lëshuar nga zyrtarë të lartë brenda Policisë së Kosovës.

“Këto informacione të dërguara nga kinse zyrtarë të lartë të PK-së, të emërtuara “FTESË/ARRESTIM I MENJËHERSHËM”, të lëshuara siç potencohen në e-mail nga stafi i lartë menaxhues i PK-së, Agjencia e Sigurisë Kibernetike në Kosovës, Byroja Federale e Hetimeve (FBI), Policia Kombëtare e Krimit Kibernetik dhe Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) etj., e që kinse janë lëshuar me qëllim të njoftimit të palës së caktuar për siç ceket “Keni 24 orë kohë për t’u paraqitur në selinë e policisë, departamenti i krimit kibernetik”, NUK janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës, e aq më pak të lëshuara nga zyrtarë të lartë brenda PK-së, por janë e-mail-e/dokumente të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e lëshuar nga policia.

Ndër të tjera në njoftim thuhet se Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, pas sigurimit të informacioneve rreth qarkullimit të e-mail-eve/informacioneve të tilla, ka filluar hetimet intensive, duke angazhuar njësitet kompetente policore, me qëllim të hetimit, verifikimit dhe zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale.

Policia e Kosovës njofton dhe njëherit fton qytetarët që të mos bien pre e dezinformatave/mashtrimeve të tilla dhe kushdo që mund të pranojë ndonjë e-mail/dokument të tillë, ta adresojë në adresën zyrtare të PK-së [email protected] për trajtim dhe kompetencë të mëtejme.

Shpërndaje në rrjete sociale