Dyshohet për kultivim të kanabisit, një i dyshuar ndalohet në Prizren

09:51 | 11 Korrik 2026
E H

Një hetim policor ka rezultuar me arrestimin e një personi në Prizren, nën dyshimin për kultivim të bimëve narkotike.

Ngjarja është regjistruar në rrugën “Jusuf Gërvalla”, ku njësitë policore kanë ndërmarrë veprime pas dyshimeve se një person ishte i përfshirë në kultivimin e kanabisit.

Gjatë zbatimit të urdhëresës së gjykatës, policia ka kryer kontroll në disa lokacione të lidhura me të dyshuarin, përfshirë shtëpinë, autolarjen dhe automjetin e tij.

Gjatë kontrollit në oborrin e shtëpisë janë gjetur dy bimë të dyshuara të kanabisit, me gjatësi rreth 50 dhe 62 centimetra, si dhe një peshore elektronike, të cilat janë sekuestruar.

I dyshuari është intervistuar nga policia dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje. Rasti mbetet nën hetim për zbardhjen e plotë të rrethanave.

“Rr. Jusuf Gërvalla, Prizren 10.07.2026-09:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti është duke u marr me kultivimin e bimëve narkotike të llojit kanabis. Njësit policore kanë zbatuar urdhëresën e gjykatës, ku kanë kryer urdhër kontrollin në shtëpinë, autolarje dhe automjetin e të dyshuarit. Gjatë kontrollit në oborrin e tij janë gjetur të mbjella dy bimë të llojit kanabis me gjatësi 50 dhe 62 cm, si dhe një peshore elektronike. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje”./Arbresh.info