Dogana kap mallra tekstile të padeklaruara në automjet të udhëtarëve në Vërmicë

14:42 | 9 Tetor 2025
E.H

Gjatë një kontrolli të rregullt në Pikëkalimin Kufitar në Vërmicë, zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë ndaluar për kontroll një automjet të transportit të udhëtarëve, pas dyshimeve për mospërputhje në deklarimin e mallrave.

Sipas njoftimit, ndonëse vozitësi kishte deklaruar se nuk posedonte mallra për të deklaruar, gjatë kontrollit të detajuar janë zbuluar dy çanta të mbushura me mallra tekstile, të cilat nuk ishin të deklaruara sipas kërkesave të legjislacionit doganor në fuqi.

“Bazuar në nenin 244 të Kodit Doganor dhe të Akcizës së Kosovës (KDAK), pala ka shkaktuar kundërvajtje doganore, ndërsa mallrat janë ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave përkatëse. Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftën kundër kontrabandës dhe parandalimin e veprimtarive të paligjshme tregtare, me qëllim të mbrojtjes së tregut dhe interesit të qytetarëve”, thuhet në njoftim./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale