Sot u bën dy vite nga sulmi terrorist në Banjskë. Dhe Milan Radoiçiq është sërish në qendër të vëmendjes. Para dy vitesh ai udhëhoqi një grup të armatosur që u përlesh me Policinë e Kosovës.
Dje ai udhëhoqi një sigurim të armatosur në Kosjeriq të Serbisë, i cili kërcënoi qytetarët në prag të një shëtitjeje të re të SNS-it. Si është e mundur që një njeri që ka pranuar pjesëmarrjen në përleshjen në Banjskë të ecë i lirë dhe të kërcënojë nëpër Serbi?
Dy vite më parë në Banjskë, dje në Kosjeriq.
Qytetarët dëshmojnë se ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, është shfaqur në Kosjeriq me sigurim dhe u ka bërë kërcënime të hapura qytetarëve në një lokal.
“Pse tani, çfarë tani, sigurim i armatosur? Por njerëzit nuk janë frikësuar në atë mënyrë që të mbyllen në shtëpitë e tyre,” thotë aktivistja Milena Oruboviq, raporton N1.
Frikën, Radoiçiq dikur e përhapte në veri të Kosovës, ku për vite me radhë ishte qendra joformale e pushtetit. Deri më 24 shtator 2023, kur një grup i armatosur i udhëhequr prej tij u përlesh me Policinë e Kosovës. U vranë tre serbë dhe një polic kosovar. Procesi gjyqësor po zhvillohet në Prishtinë, ndërsa për hetimet e supozuara në Beograd dihet shumë pak.
“Kemi një incident të armatosur ku u përfshi një sasi e madhe armësh, disa njerëz u vranë. Kemi një njeri që ka pranuar fajin. Prokuroria nuk ka reaguar dhe nuk ka pasur asnjë epilog gjyqësor,” tha Dragisha Mijaçiq, koordinator i Grupit të Punës për Kapitullin 35 të Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian.
Gjykata e Lartë thotë se Radoiçiqit i janë zgjatur masat ndaluese për të mos lënë Serbinë dhe se ai paraqitet rregullisht në stacionin policor përkatës në Savski venac më 1 dhe 15 të çdo muaji – gjë që e ka bërë për herë të fundit më 15 shtator. Nga Brukseli priten veprime më të vendosura.
“Presim që autoritetet në Serbi t’i arrestojnë dhe ndjekin penalisht ata që ndodhen në Serbi, me akuza përkatëse, para një gjykate në Serbi. Gjithashtu, vazhdojmë të jemi të shqetësuar për raportet se pjesëmarrës të supozuar të sulmit në Banjskë po marrin pjesë në demonstrata,” tha Xhenifer Sançez da Silva, zëdhënëse për politikë të jashtme, siguri dhe partneritete ndërkombëtare (Komisioni Evropian).
Mijaçiq thekson problemet që kjo ka sjellë: “Serbia ka humbur në dy fronte. Nga njëra anë nuk është treguar si shtet ligjor, dhe nga ana tjetër, nuk ka arritur të mbrojë interesat dhe qytetarët e saj në Kosovë,” tha ai.
Serbët që kanë mbetur në veri të Kosovës nuk e kujtojnë Radoiçiqin për mirë. “Mirë që një pjesë është atje (në Serbi), kështu kemi më pak probleme. Më parë nuk guxoje të flisje asgjë. Frika ende ekziston. Njerëzit shmangin të japin deklarata,” thotë një qytetar.
“Ne serbët këtu s’kemi më jetë,” thotë një tjetër.
“A shihni të ardhme, perspektivë?” pyesin gazetarët.
“Jo, jo, aspak,” përgjigjet ai.
Me ngjarjen e Banjskës, serbët në Kosovë humbën edhe mundësinë për t’u kundërvënë me mjete paqësore veprimeve të njëanshme të Prishtinës, përfundon Dragisha Mijçiq.
Studentë të 14 njësive akademike të UP-së përfitojnë mbështe...
SPAK nënshkruan pesë memorandume mirëkuptimi me vendet e Ame...
KQZ: Deri tani 63,997 votues nga diaspora janë regjistruar p...
FIFA nderon Trumpin me Çmimin e Paqes: Lidershipi i tij gara...
Publikohet marrëveshja në letër e Vetëvendosjes me tri parti...
Obiliq: Arrestohet një person për vjedhje të rëndë në pompë ...