Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përmes platformës online “Zoom”, ka thënë se trupi gjykues në rastin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, do të nxjerrë aktgjykimin në kohën e duhur në përputhje me kornizën ligjore të gjykatës.
Gjatë konferencës për medie të mbajtur të enjten, Doyle ka dhënë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Një nga arritjet e tjera domethënëse të DHSK-së, ishte mbyllja e gjykimit të z. Hysni Gucati dhe z. Nasim Haradinaj të enjten e shkuar, me deklaratat përmbyllëse të palëve dhe deklaratat e z. Gucati dhe z. Haradinaj. Trupi Gjykues do të nxjerrë aktgjykimin në kohën e duhur në përputhje me kornizën ligjore të DHSK-së”, është thënë nga ai.
Ai bëri të ditur se në çështjen Salih Mustafa, janë mbajtur katër seanca gjyqësore gjatë gjithë kësaj jave.
“Ditën e hënë, mbrojtësja e viktimave i bëri parashtrime gjykatës në emër të viktimave të pranuara si pjesëmarrëse në proces dhe një prej viktimave shprehu mendimet dhe shqetësimet e veta para Trupit Gjykues. Ditën e martë, mbrojtësi i z. Mustafa bëri deklaratën e vet hyrëse në të cilën parashtronte arsyet pse, sipas Mbrojtjes, z. Mustafa duhet të lirohet nga akuzat e ngritura kundër tij”, ka thënë ai.
Sipas tij, ditën e djeshme dhe të sotme, mbrojtja në kuadër të paraqitjes së provave të veta, thirri dëshmitarin e parë.
“Dëshmitarit i drejtoi fillimisht pyetje Mbrojtja dhe më pas Zyra e Prokurorit të Specializuar. Dëshmitarit i bëri pyetje edhe mbrojtësja e viktimave.Mbrojtja do të vijojë me paraqitjen e provave javën e ardhshme, midis datave 28 dhe 31 mars”, ka bërë të ditur ai.
Sipas tij, më 21 mars, trupi gjykues nxori vendimin e nëntë të rishikimit të paraburgimit të Mustafës dhe urdhëroi vazhdimin e mbajtjes së tij në paraburgim.
Ai ka thënë se gjykatësit konstatuan se asnjë prej kushteve, përfshirë kushtet e propozuara nga mbrojtja, nuk e ulin mjaftueshëm rrezikun e pengimit nga Mustafa të ecurisë së procesit përmes ndërhyrjes ndaj viktimave dhe dëshmitarëve, dhe/ose familjeve e tyre.
“Javën e shkuar, më 18 mars, Trupi Gjykues në çështjen Mustafa urdhëroi palët, mbrojtësen e viktimave dhe Administratoren të rishikojnë disa prej transkripteve dhe të dorëzojnë parashtrime nëse mund të hiqen disa nga redaktimet ekzistuese dhe/ose transkriptet të riklasifikohen si publike”, ka bërë të ditur ai.
Sipas Doyle, më 22 mars, Paneli i Gjykatës së Apelit në çështjen Hashim Thaçi dhe të tjerët hodhi poshtë apelet e Thaçit dhe Veselit kundër vendimit të Gjykatësit të Procedurës Paraprake të 23 dhjetorit 2021.
Tutje, ka thënë se në vendimin në fjalë, gjykatësi i procedurës paraprake miratoi pjesërisht leje për ZPS-në që të ndryshojë aktakuzën në këtë çështje.
“Seanca vijuese e procedurës paraprake në këtë çështje është planifikuar të mbahet sot pasdite në orën 14:30. Seanca do të transmetohet më 45 minuta vonesë në faqen e internetit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, në të tria gjuhët zyrtare të gjykatës”, ka bërë të ditur Doyle.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.
Pas testimit të “Skifteri K1”, Future Minds Academy prezanto...
Ndëshkohen tri lokale në Shtime për prishje të rendit dhe qe...
Zbulohet si rrodhi ngjarja në ndeshjen West Ham-Sunderland, ...
Arrestohet i dyshuari që shkaktoi aksidentin me një të vdeku...
Papa Leo thotë se civilët në Ukrainë po vuajnë, bën thirrje ...
Osmani për BBC: Kosova e di si arrihet paqja