Google ADS

Demi kritikon qasjen e VV-së për reformat në arsim në Kamenicë

15:10 | 5 Tetor 2020
Arbresh.info

Agron Demi nga Instituti GAP ka kritikuar qasjen e grupit Parlamentar të Vetëvendosjes ndaj reformave në arsim në komunën e Kamenicës.

Demi thotë se qasje e tyre nuk i dallon nga ajo e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) të ndjekur për 20 vite.

“Qasja e grupit parlamentar të VV ndaj reformave në arsim në Komunën e Kamenicës nuk dallon fare nga qasja që LDK dhe PDK kanë ndjekur qe 20 vjet: ndërto shkolla të reja aty ku nuk ka fare nevojë dhe punëso staf përkundër asaj se numri i nxënësve po bie nga viti në vit”, ka shkruar Demi në profilin e tij ‘facebook’.

Demi thotë se është demagogji të premtosh reforma në arsim e të mos kesh guxim të ballafaqohesh me problemet.

“Me premtu reforma në arsim, e mos me pas guximin me u ballafaqu me një ndër problemet kryesore, siç janë shkollat pa nxënës, është demagogji. Janë së paku 9 shkolla në Komunën e Kamenicës që kanë nxënës njëshifrorë. Shumë klasa janë me nga një nxënës. Por, për VV dhe partitë tjera, ma me rëndësi është baza votuesëve, se sa mirëqenia e nxënësve”, shkruan tutje Demi.

Po ashtu ai thotë se risistemimin e shkollave që ka filluar të bëhet në Kamenicë duhet ta aplikojnë edhe vendet e tjera.

“Risistemimi i shkollave që ka filluar në Kamenicë duhet të aplikohet në krejt vendin, ngase në secilën komunë ka rënie të nxënësve. Andaj, në vend se të bllokohet iniciativa e Kamenicës, partitë dhe MASH duhet të kenë një plan kombëtar se si të aplikohet kjo reformë edhe në komunat tjera”, ka përfunduar shkrimi i Demit.

Derisa gjatë ditë së sotme në Kamenicë disa prindër kanë protestuar kundër këtyre reformave.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme