Çeku: Ne po paguajmë çmim të shtrenjtë, pasi s’ka pasur investime në sektorin e energjisë

00:31 | 19 Janar 2022

Et’hem Çeku, ish-ministër i Energjetikës dhe Minierave, ka thënë se situata me energji elektrike në Kosovë dita-ditës është duke u vështirësuar, dhe sipas tij kjo po shkaktohet nga mos investimi në këtë sektor.

“Situata në Kosovë po vështirësohet, rënia e blloqeve po krijon një situatë të vështirë. Arsye tjetër është se ne nuk kemi investuar në sektorin e energjisë, nuk ka kapacitete të reja, blloqet e Kosovës A janë blloqe që s’mund të sjellin stabilitet. Ne po paguajmë një çmim të shtrenjtë sepse nuk kemi pasur investime në sektorin e energjisë, në veçanti në fushën e linjitit kam frikë se kriza do të thellohet, nuk është krizë që kalohet lehtë”, ka thënë Çeku në Edicionin Special.

Çeku tha se subvencionimet që janë bërë nga qeveria në këtë sektor, janë vetëm zgjidhje e përkohshme.

“Kjo formë që po planifikohet të blihet energjia elektrike, duke u subvencionu me 75 milionë euro, janë ndërhyrje të shpejta emergjente por nuk e zgjidhin problemin. Kjo politike sot për nesër është politikë e gabuar, shikoni sa miliona euro po shkrihen brenda disa muajsh në sektorin e energjisë, dhe sa do të shkrihen ende”, ka shtuar ai.

Sipas tij ka disa alternativa që mund të përdoren për të dalë nga kjo situatë, shkruan Klankosova.tv

“Duhet të krijohet një strategji afatgjate, të ndërtohen blloqe të reja në konceptim e bllokut Kosova A, duhet të kemi energjinë alternative në prodhim, duhet të gjejmë marrëveshje me Shqipërinë ata kanë hidron ne termon dhe të bëjmë kombinim të energjisë”, ka vazhduar ai.

Çeku tha se me rritjen e tarifave të energjisë po tentohet të zbutet situata në njërën anë, por sipas tij, në anën tjetër po dëmtohet shporta e konsumatorëve.

Ai shtoi se sektori i energjisë nuk mund të bazohet në blloqe që janë të viteve të 60-ta. Sipas tij, Kosova do të paguaj për një kohë të gjatë çmimin e ndërprerjes së ndërtimit të blloqeve të reja.

Ish-ministri tha se ngritja e çmimit të energjisë nuk siguron furnizim të pandërprerë me energji.

Lajmet më të lexuara