Brenda tre vjetësh çifteve të para do u dorëzohen çelësat e banesave, projektet kanë nisur në Pejë, Istog, Gjilan dhe Podujevë

13:04 | 3 Gusht 2025
E.H

Në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në shkurt të vitit 2021, Lëvizja Vetëvendosje kishte premtuar se nëse vjen në pushtet do tu mundësonte rreth 4 mijë banesa me çmime të përballueshme për çiftet e reja që kanë nevojë.

“Nëpërmjet programit “120×120” dhe “150×150” sidomos për çiftet e reja do të përfitohen banesa me këste mujore prej vetëm 120 respektivisht 150 eurove në muaj, për një periudhë kohore prej jo më shumë se 120 muaj, përkatësisht 150 muaj,” pati thënë Kurti gjatë prezantimit të programit qeveritar 2021-2025.

Por ani pse, edhe zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit 2025 kanë përfunduar e ende s’ka formim të institucioneve, ky premtim ende ka mbetur vetëm në letër.

Nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), për Arbresh.info, thonë se tashmë ka përfunduar draft-ligji për banimin e përballueshëm, si dhe studimin e fizibilitetit për ndërtimin e 4.000 banesave për çiftet e reja.

Procesi i tenderimit, sipas tyre tashmë ka përfunduar në katër komuna, përfshirë: Pejën, Gjilanin, Istogun dhe Podujevën.

Ndërsa, Komuna e Prishtinës, sipas tyre nuk ka aplikuar fare në këtë fazë.

Ndërkohë, nga kjo ministri pohojnë se nëse gjithçka ecën sipas planit, çiftet e para pritet të marrin çelësat e banesave brenda trevjeçarit të ardhshëm.

Nga kjo ministri për Arbresh.info tha se projekti për banesa të përballueshme, i premtuar nga qeveria në zgjedhjet e fundit, po hyn në fazën e tij të parë të zbatimit.

“Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e ka përfunduar draftligjin për Banimin e Përballueshëm dhe Social, si dhe studimin e fizibilitetit për Programin. Draftligji është tashmë i miratuar në Kuvendin e Kosovës, ndërsa studimi i fizibilitetit është përgatitur në bashkëpunim me organizatën ndërkombëtare International Finance Corporation (IFC),” bëjnë të ditur nga MMPHI-ja.

200 milionë euro do kushtojnë 4 mijë banesat e premtuara

Sa i përket kostos së projektit, ministria thekson se shifra prej 200 milionë euro, e përmendur fillimisht në marrëveshjen me IFC, është ende në shqyrtim, pasi kostoja përfundimtare do të varet nga pjesëmarrja dhe kapacitetet e vetë komunave.

“Vlera finale e investimeve varet nga disa faktorë, kryesorja është kapaciteti i komunave për t’u bërë pjesë e realizimit të programit,” sqaroi ministria.

Një ndër pikat që ka tërhequr vëmendjen është përjashtimi i Komunës së Prishtinës, e cila nuk është përfshirë në fazën e parë të zbatimit.

“Procesi i prokurimit ka përfunduar për katër komuna: Podujevë, Pejë, Gjilan dhe Istog. Komuna e Prishtinës nuk ka aplikuar në fazën e parë të programit për banim të përballueshëm dhe social,” bëri të ditur ministria. Për të mundësuar implementimin, janë nënshkruar edhe memorandume mirëkuptimi mes ministrisë dhe disa komunave si: Istogu, Kamenica, Obiliqi, Shtime, Podujeva, Peja dhe Gjilani”, thonë nga ministria.

Kriteret që duhet të plotësojnë çiftet për të përfituar një banesë

Në lidhje me kriteret për përzgjedhjen e përfituesve, nga kjo ministri thonë se programi do të favorizojë çiftet me të ardhura të ulëta apo mesatare, ata që nuk kanë banesë në pronësi dhe familjet me gjendje më të rënduar ekonomike.

“Përfituesit e programit do të përzgjidhen në bazë të kritereve sociale dhe ekonomike. Në përzgjedhje do të ketë përparësi për çiftet me të ardhura të ulëta dhe ata që nuk kanë mundësi të blejnë banesë në tregun privat,” theksojnë nga MMPHI.
Sipas kësaj ministrie, përzgjedhja do të bëhet përmes thirrjeve publike të hapura, të cilat do të menaxhohen nga vetë ministria.

Kjo ministri pohoi se çiftet e reja pritet të marrin çelësat e banesave të para brenda tre vjetësh, ndërkohë që punimet në komunat ku është përmbyllur prokurimi tashmë kanë filluar.

“Përfituesit e programit, duke përfshirë çiftet e reja, parashihet të marrin çelësat e parë të banesave brenda 36 muajve. Punimet kanë filluar siç është e paraparë me kontratat e operatorëve ekonomikë, deri tani nuk kemi ndonjë paqartësi,” theksojnë nga MMPHI.

Ndryshe, tema e banesave për çiftet e reja është diskutuar që nga zgjedhjet e vitit 2021, kur u premtuan 4.000 njësi banimi si pjesë e një programi për strehim të përballueshëm. Deri tani janë përfunduar hapat ligjorë dhe teknikë, ndërsa ndërtimi ka nisur në disa komuna.

Pritshmëritë janë që deri në vitin 2028, qindra familje të reja në Kosovë do të mund të kenë strehim më të sigurt dhe më të përballueshëm./Arbresh.info/Qëndresa Luma/

Të ngjashme