Borisov i bën thirrje Rusisë të ndalë fushatën e spiunimit në Bullgari

12:25 | 21 Mars 2021

Kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov i bëri thirrje Rusisë të ndalë fushatës e spiunimit ndaj vendit të tij.

Deklarata u bë një ditë pasi autoritetet bullgare shkatërruan një grup spiunimi, që i dërgonte sekrete ushtarake Rusisë.

Prokurorët bullgarë kanë akuzuar gjashtë persona, përfshirë ish-oficerë të inteligjencës ushtarake dhe të tanishme, për dërgimin e informacionit të klasifikuar në lidhje me Bullgarinë, NATO-n dhe Bashkimin Evropian në Ambasadën Ruse në Sofje.

Nën akuzat e spiunimit, që nga tetori i vitit 2019, Bullgaria ka dëbuar pesë diplomatë dhe punonjës të Ambasadës Ruse.

“Mund të lind nevoja që prapë të deklarojmë si të padëshiruar diplomatët rusë. Unë u bëj thirrje përsëri udhëheqësve të tyre të ndalojnë spiunimin në Bullgari. Miqësia është miqësi, por partneriteti ynë euro-atlantik është një faktor i pashmangshëm”, tha Borisov.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania thanë më 20 mars se qëndrojnë me Bullgarinë kundër veprimtarive “malinje” të Rusisë.

“Bullgaria është një vend mik, aleat i NATO-s dhe partner. Ne jemi duke vëzhguar me vëmendje hetimin bullgar mbi një rrjet të dyshuar spiunimi rus. SHBA-ja mbështet fuqimisht sovranitetin e Bullgarisë dhe qëndron me bullgarët kundër këtyre aktiviteteve malinje në territorin e tyre”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.

Ministri i Jashtëm britanik, Dominic Raab, përmes një deklarate dënoi “veprimet armiqësore” të Rusisë. /REL/

Lajmet më të lexuara