Bekim Jashari i reagon OVL-UÇK-së: Ka mijëra arsye për të festuar lirinë dhe pavarësinë, bojkoti nuk ndryshon rrjedhën e historisë

15:28 | 14 Shkurt 2025
K.B

Pas vendimit nga kryesia e OVL të UÇK-së, që të mos ketë asnjë bashkëpunimi me institucionet në detyrë të Qeverisë së Kosovës, në festimin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe manifestimin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së të Familjes Jashari të datës 5,6 dhe 7 mars, ka reaguar Bekim Jashari.

Sipas tij, kur erdhi dita për t’i dalë zot atdheut, bijtë dhe bijat e Kosovës iu përgjigjën kushtrimit pa hezitim, duke lënë mënjanë çdo dallim, ndërkaq thotë se, bojkoti i këtyre momenteve nuk ndryshon rrjedhën e historisë, por flet shumë për ata që zgjedhin ta bëjnë.

“Sot kemi mijëra arsye për të festuar lirinë dhe pavarësinë, të fituara me gjak dhe sakrificë. Bojkoti i këtyre momenteve nuk ndryshon rrjedhën e historisë, por flet shumë për ata që zgjedhin ta bëjnë. Kosova është meritë e të gjithëve, dhe në vend të bojkotit, mirënjohja dhe nderimi për ata që na sollën lirinë duhet të na bashkojnë. Siç thoshte mixha Rifat: “Humba 56 anëtarë të familjes, por fitova zemrat e miliona shqiptarëve.” Asgjë nuk mund ta zbehë madhështinë e kësaj feste!”, ka shkruar Jashari.

Ndryshe, të enjten Kryesia e OVL-UÇK-së ka mbajtur mbledhje, ku është vendosur se nuk do të ketë asnjë lloj bashkëpunimi me institucionet në detyrë të Qeverisë së Kosovës lidhur me 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe manifestimin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

Ky vendim erdhi, pasi sipas tyre, Qeveria aktuale nuk ka treguar asnjëherë gatishmërinë e saj që të bashkëpunojnë me OVL-UÇK-në.

“Duke e parë të arsyeshme se kjo Qeveri ka qenë një nga Qeveritë që ka shkelur të drejtën tonën, ne si OVL e UÇK-së do të organizohemi me degët tona në çdo Komunë të Kosovës që heronjtë, dëshmorët dhe sakrificën sublime të UÇK-së në këto dy data historike në mënyrë të organizuat nga Kryesia e OVL-UÇK-së dhe degët tona ti festojmë dhe nderojmë në mënyrën më fisnike që na përket neve si luftëtar të UÇK-së”, thuhej në njoftimin e tyre./Arbresh.info/

LEXO EDHE:

OVL e UÇK-së merr vendim që të mos ketë asnjë bashkëpunim me Qeverinë për festën e Pavarësisë

Shpërndaje në rrjete sociale