Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, mori pjesë sot në ceremoninë shtetërore të organizuar në Prishtinë me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Gjatë fjalës së tij, Begaj u bëri thirrje shqiptarëve për unitet, bashkëpunim dhe përkushtim për të ruajtur dhe çuar përpara atë që kanë arritur deri tani, transmeton Arbresh.info.
“Ne shqiptarët, përgjatë gjithë historisë sonë të lashtë, nuk kemi pasur nga askush dhurata politike. Na është dashur të luftojmë për të drejtat tona më themelore: lirinë, pavarësinë, gjuhën tonë. Sot kemi arritur t’i gëzojmë. Për këtë jemi krenarë. E me këtë krenari të mbajmë edhe përgjegjësi për sfidat që kemi përpara. Ta duam kombin shqiptar me fuqinë hyjnore, të punojmë së bashku me fuqinë njerëzore për të ruajtur lirinë, për të forcuar paqen, demokracinë dhe stabilitetin, të punojmë së bashku për prosperitet dhe integrim, të jemi ndërtues të së ardhmes së begatë të kombit shqiptar”, u shpreh Begaj.
I pari i shtetit shqiptar mënyrë të veçantë theksoi përgjegjësinë për bashkëpunim mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke e konsideruar si rrugën drejt forcimit të dy shteteve për fuqizimin e ndikimit të faktorit shqiptar në rajon e më gjerë, për forcimin e kombit shqiptar.
Në lidhje me këtë bashkëpunim, Presidenti i Republikës së Shqipërisë u shpreh se ka një potencial të jashtëzakonshëm të pashfrytëzuar plotësisht.
“Qytetarët tanë presin më shumë ndërveprim dhe bashkëpunim, më shumë rezultate të prekshme dhe shkëmbime ekonomike, më shumë lehtësim në tregje dhe nisma të përbashkëta, më pak burokraci apo keqkuptime”, tha Begaj.
Ndërsa rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën në të gjitha proceset integruese dhe progresin e arritur në këto 17 vite shtet,
Presidenti Begaj i bëri apel BE-së të heqë sanksionet ndaj Kosovës dhe të shtojë njohjet nga vendet evropiane që kanë refuzuar deri tani.
“Ne besojmë se Evropa e Bashkuar është destinacioni ynë strategjik dhe jetik, është një projekt në shërbim të paqes, demokracisë, sigurisë, stabilitetit e prosperitetit. Shqiptarët besojnë në Bashkimin Evropian, në vlerat që ai përfaqëson, si dhe në përkushtimin për zgjerim, por mosnjohja e shtetit të Kosovës është akt që bie ndesh me këtë përkushtim. Dëshirojmë që këto vende të rishikojnë qëndrimet e tyre dhe, gjithashtu, Bashkimi Evropian të heqë sanksionet e vendosura padrejtësisht ndaj shtetit të Kosovës”. Kosova ka provuar se jo vetëm di të kërkojë, të mbrojë e të respektojë lirinë dhe demokracinë, por edhe të përmbushë përgjegjësitë ndaj qytetarëve të saj dhe ndaj komunitetit ndërkombëtar”, u shpreh kreu i Shqipërisë.
Begaj gjithashtu, përgëzoi arritjet e deritanishme duke u shprehur se Republika e Kosovës gjithnjë e më shumë është kontribuuese për paqen, dialogun dhe bashkëjetesën
“Shqipëria dhe Kosova, faktori shqiptar në rajon, është aleat besnik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, aleat i përkushtuar i Aleancës Euroatlantike dhe vlerave të saj në rajon. Shqiptarët do të jenë përgjithnjë mirënjohës për mbështetjen e tyre të pakursyer”, – theksoi kreu i shtetit shqiptar, duke shprehur nderim për përpjekjet dhe sakrificën e të gjithë shqiptarëve për Pavarësinë e Kosovës./Arbresh.info
LEXO EDHE:
Begaj: Pavarësia e Kosovës është testament i qëndresës dhe amanet i shenjtë
Qeveria në detyrë ndan mbi 141 mijë euro për projekte me OKB...
Putin paralajmëron nga Nju Delhi: Zgjerimi i NATO-s kërcënon...
Ambasada gjermane: Kosova ka nevojë urgjente për qeveri funk...
Ministrja Rizvanolli mban konferencë për media mbi sektorin ...
Policia ndalon një automjet në Çagllavicë, kapet kosovari dh...
Gruaja e lënduar dërgohet dy herë në spitalin e Mitrovicës d...