Basha priti në takim ambasadoren amerikane në Kosovë, diskutuan për zgjedhjet e 28 dhjetorit

18:05 | 26 Nëntor 2025
E.H

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, priti sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës Amerikane në Kosovë,  Anu Prattipati, me të cilën diskutoi për zhvillimet e fundit në vend dhe aktualitetin politik.

Kryetari i Kuvendit shprehu keqardhjen që nuk u votuan disa prej çështjeve të rëndësishme në Kuvend, përfshirë marrëveshjet ndërkombëtare, buxhetet e komunave, ligjin e buxhetit, si dhe raportin e RTK-së që do të mundësonte zgjidhjen e çështjes së pagave për punëtorët, transmeton Arbresh.info.

Një pjesë e bisedës u përqendrua te procesi zgjedhor në vend, rëndësia e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si dhe respekti mes subjekteve politike.

“Kosova është dëshmuar se organizon procese zgjedhore të rregullta, ndërsa qytetarët tanë kanë treguar vazhdimisht kulturë të lartë demokratike”, theksoi Basha.

Kryeparlamentari Basha gjithashtu shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara, aleatin tonë të çmuar dhe siç e cilësoi ai, modelin e përhershëm për vlerat dhe standardet demokratike.

Kryetari Basha dhe znj. Prattipati uruan njëri-tjetrin për Ditën e Falënderimeve, ditë feste e rëndësishme për të gjithë qytetarët amerikanë./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale