Bajrami tha se LDK nuk e voton buxhetin, reagon Murati

23:39 | 2 Nëntor 2025
E.G

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ashpër pas deklaratave të deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, e cila kishte thënë se “Albin Kurtit nuk ia votoj buxhetin, edhe nëse nuk e marr as edhe një votë”.

Në një status në Facebook, Murati ka thënë se qëndrime të tilla tregojnë qartë se kundërshtimi i LDK-së ndaj buxhetit nuk është i motivuar nga arsye profesionale apo përmbajtja e dokumentit, por nga inate politike ndaj kryeministrit Kurti.

Ai ka shtuar se kjo qasje po dëmton drejtpërdrejt qytetarët e Prishtinës dhe bizneset që presin pagesat për punët e kryera.

“Këtë inatin kundër Albin Kurtit edhe mund ta kuptoj deri diku. Por çfarë inati kanë LDK-ja me buxhetin e Komunës së Prishtinës për vitin 2025 që po refuzojnë ta votojnë, edhe tash kur është konstituuar Kuvendi?”, ka shkruar Murati.

Sipas tij, LDK dhe PDK kanë refuzuar që çështja e buxhetit të Komunës së Prishtinës të futet në rend dite në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Kuvendit, megjithëse tani ekziston mundësia ligjore që dokumenti të miratohet.

Murati ka hedhur poshtë pretendimet e deputetes Bajrami se Qeveria nuk e kishte përcjellë në Kuvend buxhetin e Komunës së Prishtinës gjatë legjislaturës së kaluar. Ai ka publikuar një shkresë zyrtare si dëshmi, ku sipas tij tregohet qartë se buxheti është dërguar me kohë për shqyrtim dhe miratim.

“Qytetarët dhe operatorët ekonomikë duhet ta dinë se Kuvendi i Kosovës tash ka mundësi ta miratojë buxhetin e Komunës së Prishtinës për vitin 2025 dhe të paguhen të gjitha faturat e grumbulluara, mirëpo LDK dhe PDK kanë refuzuar ta trajtojnë këtë çështje”, ka shtuar ai./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale