Bajrami: Projektligji për Fondin Sovran do dërgohet në Kushtetuese

19:14 | 8 Maj 2023
Emir Abduramani

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se Projektligji për Fondin Sovran është antikushtetues.

Kjo sipas saj, bazuar në nenin 65 të këtij projektligji.

“”1. Ky ligj mbizotëron ndaj legjislacionit për shoqëritë tregtare, ndërmarrjet publike, Trepçën, Agjencinë e Privatizimit, administrimin e pronës publike, prokurimin publik, si dhe kontabilitetin dhe raportimin financiar.

  1. Legjislacioni i punës nuk zbatohet lidhur me përzgjedhjen, emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve të organeve dhe zyrtarëve të Fondit dhe të ndërmarrjeve.”, thonë dy pikat e para të këtij neni.

E kjo sipas Bajramit, nënkupton tendera të drejtpërdrejtë, pa Ligj të prokurimit, pa kontabilitet, raportim financiar dhe pa ligj të punës.

“D.m.th. ky Fondi ka me e “zhvillu vendin” duke anashkalu krejt ligjet në fuqi. Për këtë Fond, bordin dhe organet e tij, që do të emrohen nga Qeveria/LVV-ja, s’ka me pasë Ligj të prokurimit – tenderat direkt me dosta/negociim i drejtëpërdrejtë, s’ka nevojë për kontabilitet, raportim finaciar, ligj të punës hiç se hiç, thjeshtë duhet me qënë i pëlqyshëm për pushtetin dhe mjafton”, ka shkruar ajo.

Në fund, ajo ka ritheksuar se ky ligj është në kundërshtim me Kushtetutën dhe si i tillë, do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese./Arbresh.info