8 Marsi i këtij viti e gjen Kosovën në vazhdën e përpjekjeve për të sfiduar pabarazitë gjinore, që kryesisht ndikojnë drejtpërdrejt në jetën dhe mirëqenien e vajzave dhe grave.
Barazia gjinore përben një pjesë të pandashme të të drejtave të njeriut, të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e që vendos themelin e vlerave dhe parimeve të një shteti që respekton liritë dhe të drejtat e njeriut.
Sot, gratë, ende diskriminohen në çështje të pronës dhe trashëgimisë, e po ashtu edhe në fushën e punësimit, duke mos qenë të barabarta në konkurrim, por edhe ne raport me kompensimin material, për punën e njejtë. Ky realitet, thellon edhe më tej, hendekun gjinor në paga, si dhe gjithashtu, vështirëson dhe ngadalëson fuqizimin ekonomik të grave në Kosovë. Papunësia mbetet më e shprehur tek gratë sesa tek burrat, ashtu siç edhe mundi i papaguar i grave, në kuadër të ekonomive familjare, vazhdon të përbëjë mungesë të vlerësimit të punës, si dhe minimizon kontributin e përgjithshëm ekonomik të grave.
Simbolika e kësaj date, shërben si një moment ideal, për të rikthyer vëmendjen e institucioneve tona, drejt zbatimit të Rezolutës për miratimin e Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm të nxjerrë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, në janar të këtij viti. Përshpejtimi i zbatimit të Agjendës 2030, të aprovuar në Samitin e Kombeve te Bashkuara, kërkon angazhim të institucioneve edhe për avancimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave dhe vajzave.
Ndonëse, Kushtetuta dhe ligjet në fuqi u garantojnë, si burrave, ashtu edhe grave, trajtim të barabartë, ajo çfarë mbetet sfiduese për institucionet dhe shoqërinë tonë, është luftimi i pabarazive dhe stereotipeve gjinore, të ndërtuara ndër vite, si dhe beteja për fuqizimin e vazhdueshëm të rolit dhe pozitës së gruas, deri në atë moment, kur të dy gjinitë, të mund të kenë dhe gëzojnë, mundësi realisht të barabarta.
Përfaqësimi dhe angazhimi i gruas në sferën publike, edhe pse ka pësuar rritje gjatë dekadës së fundit, vazhdon të jetë ende larg parametrave të përcaktuara me miratimin e Ligjit të ri për Barazi Gjinore, i cili ka shfuqizuar të gjitha dispozitat që bien në kundërshtim me të. Rrjedhimisht, të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike janë të obliguara të garantojnë përfaqësimin e barabartë prej pesëdhjetë përqind, për secilën gjini, sipas masës së veçantë të paraparë ne nenin 6, paragrafi 8, të këtij Ligji.
Institucioni i Avokatit te Popullit, si mekanizëm shtetëror i barazisë, i mandatuar për mbrojtjen, mbikëqyrjen, dhe promovimin e të drejtave të njeriut, në vazhdimësi të respektimit të përpjekjeve të grave për barazi, paqe dhe drejtësi, në këtë ditë simbolike, kërkon nga të gjitha palët e përfshira, zbatim të plotë të parimeve kushtetuese dhe të të gjitha dispozitave tjera ligjore, për fuqizimin dhe trajtimin e barabartë të vajzave dhe grave, në të gjitha sferat e jetës.
Vrasja në Gjakovë, Spitali “Isa Grezda” njofton për të plago...
BE kërkon kompromis, thirrje për formim të shpejtë të instit...
Kërkohet paraburgim për dy persona të dyshuar për ryshfet në...
Osmani: Ky rezultat nuk është fundi i një gare, është vazhdi...
Kurti udhëton për në Austri
Fitore Pacolli: Deri tani janë larguar rreth 1500 ton mbetur...