Avancon zbatimi i ujdisë së IBM-së

15:58 | 10 Nëntor 2015
M. A.

Pas përpjekjeve të shumta të Qeverisë së Kosovës për avancimin e zbatimit të Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit ndërshtetëror (IBM), në dialogun e Brukselit është arritur pajtimi për dy fusha: Marrëveshja për Shkëmbimin Sistematik Elektronik të të Dhënave Doganore sipas standardeve evropiane dhe Marrëveshja për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në mes të dyja shteteve.

Në një komunikatë të kryeministrisë thuhet se ndërmjetësuesi i BE-së e ka njoftuar zyrtarisht ministren për Dialog, Edita Tahiri se pala serbe është pajtuar dhe ka filluar së zbatuari plotësisht marrëveshjet për Shkëmbimin Sistematik Elektronik të të Dhënave Doganore dhe Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në mes të dyja shteteve.

Në kumtesë bëhet me dije se përfitimet nga Marrëveshja për Shkëmbimin Sistematik Elektronik të të Dhënave Doganore (SEED) për shtetin e Kosovës, ekonomike dhe politike sepse ajo mundëson rritjen e kontrollit të mallrave që eksportohen nga Serbia në Kosovë, rritjen e buxhetit të Kosovës përmes rritjes së të hyrave nga taksat doganore si dhe luftimin e informalitetit në fushën e eksport-importit.

“Po ashtu, me këtë marrëveshje Kosova kompleton standardet evropiane në fushën e shkëmbimit elektronik të të dhënave doganore në bashkëpunimet rajonale” thuhet në njoftim, transmeton Klan Kosova.

Përfitimet nga Marrëveshja për Ndihmën e Ndërsjellë Juridike mes dy shteteve (MLA), për shtetin e Kosovës, janë si vijon: Kjo marrëveshje avancon zbatimin e Protokollit teknik të Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM) në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, në fushën e sundimit të ligjit në të dyja shtetet sepse që të dyja shtetet zotohen zyrtarisht që të krijojnë procedura të cilat lehtësojnë procedimin e kërkesave për ndihmë të ndërsjellë Juridike (NNJ) për rastet kur paraqitet nevoja.

“Kjo praktikë përkon me standardet evropiane në fushën e sundimit të ligjit dhe obligimet për bashkëpunim mes shteteve që aspirojnë integrimin në BE”.

Shpërndaje në rrjete sociale