Me 80 vota për Kuvendi i Kosovës, më 7 prill të vitit 2011, ka zgjedhur ish-zëvendësdrejtoren e përgjithshme të Policisë së Kosovës, Atifete Jahjagan, në postin e presidentes.
Jahjaga ishte kandidatja e përbashkët e PDK-së, LDK-së dhe AKR-së në bazë të marrëveshjes së arritur ndërmjet liderëve të këtyre tri partive politike, nën ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell.
Ajo fitoi në rrethin e parë të votimit. Për kundërkandidate kishte deputeten e AKR-së, Suzana Novobërdaliun, e cila mori vetëm 10 vota, përderisa 10 vota të tjera ishin të pavlefshme.
Presidentja e zgjedhur, Atifete Jahjaga, ka dhënë betimin para Kuvendit se do të mbrojë Kushtetutën, sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës.
Në fjalimin e parë para Parlamentit, presidentja Jahjaga tha se ka vullnet dhe vetëbesim që të ndihmojë reformat dhe ndryshimet pozitive në Kosovë.
Procesi i votimit ishte bojkotuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në fund, me 75 vota për dhe 2 abstenime Kuvendi ka miratuar edhe rezolutën, me të cilën përkrah marrëveshjen e arritur ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi, liderit të LDK-së, Isa Mustafa, dhe ish-kandidatit për president, Behxhet Pacolli.
Në këtë marrëveshje është përfshirë edhe pajtimi i treshes për ndryshime kushtetuese, reforma zgjedhore, zgjedhjet presidenciale pas afërsisht një viti e gjysmë dhe zgjedhjet parlamentare pas afërsisht dy vjetësh e gjysmë.
Kush është Atifete Jahjaga?
Atifete Jahjaga u lind më 20 prill, 1975, në Gjakovë, ndërkaq shkollimin fillor, atë të mesëm dhe studimet në Fakultetin Juridik i kreu në Prishtinë.
Përfundoi edhe studimet në Universitetin Leicester në Angli, çertifikimin postdiplomik në menaxhimin policor dhe të së drejtës penale në vitin 2006/2007 dhe çertifikimin postdiplomik në shkenca kriminalistike në Universitetin e Virxhinias në SHBA.
Karrierën e saj e nisi në Policinë e Kosovës, duke qenë e angazhuar në sektorë të ndryshëm të këtij institucioni, që nga patrullimi e deri te hetuesia.
Ka kryer edhe trajnimin në Qendrën Evropiane të Sigurisë “Xhorxh Marshall” në Gjermani dhe në Akademinë Nacionale të FBI-së në Departamentin e Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Jahjaga ka ushtruar postin e zëvendësdrejtores së përgjithshme të Policisë së Kosovës, ndërsa një kohë ka ushtruar edhe detyrën e drejtorit të përgjithshëm të këtij institucioni.
Të shtëna me armë në Sevaster të Vlorës, plagoset një person
Zelensky i shkruan Putinit: Ukraina propozon t’i japë fund l...
Nis sot Samiti BE–Ballkani Perëndimor në Tivat, Haxhiu përfa...
Protestë për gjuhën shqipe para Ambasadës së Maqedonisë së V...
Sot varrosen dy të rinjtë që humbën jetën tragjikisht në Shë...
Parashikimi i motit për sot