Arsyeja pse Konjufca vizitoi Shqipërinë lidhet me Gjykatën Speciale dhe vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi

15:43 | 7 Qershor 2021

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka filluar vizitën zyrtare në Shqipëri, të parën jashtë vendit në cilësi të kryetarit të Kuvendit.

Dy nga arsyet që Konjufca vizitoi Shqipërinë lidhen me Gjykatën Speciale dhe vazhdimin e dialogut Kosovës-Serbi.

Konjufca tha se nga dialogu me Serbinë Kosova nuk guxon të dalë e dëmtuar.

“Na duhet një koordinim shumë i thellë e i ngushtë me Republikën e Shqipërisë, ashtu që Kosova të mos dëmtohet nga një marrëveshje e tillë, e për Republikën e Kosovës, dëm, ashtu siç e kemi definuar ne dhe institucionet tona, do të ishte krijimi i çfarëdo entiteti territorial serb brenda Republikës së Kosovës që do të kontrollohej nga Beogradi. Kjo nuk bën assesi të ndodhë dhe kjo është beteja jonë e përbashkët”, theksoi kryekuvendari Konjufca.

Edhe sa i përket procesit gjyqësor të ish-pjesëtarëve dhe krerëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në Hagë, kryekuvendari Konjufca tha se nevojitet bashkërendim me Republikën e Shqipërisë, ngase, siç tha ai, lufta e UÇK-së nuk ka qenë vetëm e Kosovës.

“Lufta jonë e shenjtë, e drejtë dhe pastër e UÇK-së ka qenë e gjithë kombit shqiptar dhe si e tillë duhet të trajtohet dhe të mbrohet”, theksoi kryekuvendari Konjufca.

Këto komente kryekuvendari Konjufca citohet t’i ketë bërë në një takim të veçantë me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, me të cilin ka biseduar për shkëmbimin e përvojave dhe intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Kryekuvendari Konjufca, me këtë rast, ftoi kreun e Kuvendit të Shqipërisë, Ruçi, për vizitë në Kosovë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara