Arrestohet shtetasi serb për dhënie ryshfeti në Bërnjak

23:29 | 3 Prill 2026
Q L

Një shtetas i Serbisë është arrestuar sot në Pikë Kalimi Kufitar Bërnjak pasi ka ofruar para një zyrtari policor për të lejuar hyrjen e pasagjerit me dokumente të skaduara.

Policia e Kosovës njofton se sot rreth orës 11:00, gjatë kontrollit kufitar në hyrje të Pikë Kalimit Kufitar Bërnjak, është arrestuar një shtetas i Serbisë për dhënie ryshfeti.

Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari po drejtonte një automjet me targa të Serbisë dhe gjatë kontrollit ka ofruar para një zyrtari policor me qëllim që të lejohej hyrja e pasagjerit me dokument identifikues të skaduar në territorin e Republikës së Kosovës, veprim ky që bie ndesh me ligjin.

Me veprimet e kryera, personi i dyshuar ka konsumuar veprën penale “Dhënie e ryshfetit”. Policia njofton se i njëjti është shoqëruar për intervistim pranë Drejtorisë së Krimeve Ekonomike. Kartëmonedha e ofruar është konfiskuar, ndërsa me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje për procedura të mëtejshme.

Shpërndaje në rrjete sociale