Arrestohet një 22-vjeçar në Obiliq për kanosje, policia i sekuestron një AK-47

18:59 | 29 Korrik 2026
E H

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale të kanosjes, pas një rasti të raportuar të enjten në Obiliq.

Sipas njoftimit të policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30 në rrugën “Fejzullah Preniqi”, ndërsa reagimi i shpejtë i hetuesve të Stacionit Policor në Obiliq ka mundësuar identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit.

Gjatë aksionit, policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë automatike të tipit AK-47.

I arrestuari është identifikuar me inicialet Sh.P., 22 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës. Me vendim të prokurorit të shtetit, ai është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë, nën dyshimin për veprat penale “Kanosje” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”.

Policia bëri të ditur se hetuesit janë duke vazhduar punën për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të rastit./Arbresh.info