Arrestohet 33-vjeçari për vjedhje në xhamin e fshatit Mirashë

19:43 | 16 Prill 2026
E.H

Me datën 12.04.2026 rreth orës 13:00, në stacionin policor në Ferizaj është raportuar një rast i “Vjedhjes së rëndë” në Xhaminë e fshatit Mirashë të Ferizajt.

Policia e Kosovës njofton se njësitet reaguese kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë kontaktuar me ankuesin, imamin e Xhamisë, i cili ka njoftuar se rreth orës 03:00 të së njëjtës ditë, një person i panjohur dhe i maskuar kishte hyrë në objekt, nga ku kishte vjedhur arkën e bamirësisë me një shumë të caktuar parash.

Rasti është regjistruar nga kamerat e sigurisë, mirëpo gjatë largimit, i dyshuari kishte dëmtuar kamerat me qëllim të asgjësimit të provave, duke shkaktuar edhe dëme materiale.

“Pas veprimeve hetimore dhe sigurimit të provave, më 16.04.2026, Njësia e Hetimeve në Ferizaj ka arritur të identifikojë dhe arrestojë të dyshuarin J.H. (33 vjeç), i cili është shoqëruar në stacionin policor dhe në prani të avokatit mbrojtës, është intervistuar si i dyshuar, ku me autorizim të prokurorit të shtetit ka pranuar kryerjen e veprës penale. Gjithashtu, i dyshuari rezulton me urdhër-arrest aktiv nga Gjykata Themelore, dega në Lipjan. Me vendim të prokurorit, është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme hetimore”, thuhet në njoftim./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale