Arrestohen dy zyrtarë bankarë, dyshohet se viktimën e ngarkuan me kredi prej 25 mijë eurove pa dijeninë e saj

17:18 | 21 Maj 2026
E.G

Policia e Kosovës me njësitë e saj nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka kryer veprime hetimore me autorizim të Prokurorit të Shtetit, mbi dyshimet se i dyshuari nr.1 m/k në cilësinë e menaxherit bankar ka tejkaluar autorizimet ligjore, duke liruar mjetet në vlerë prej 24 mijë euro, ashtu që ka urdhëruar kundërligjshëm të dyshuarin nr.2 m/k që të kryej transaksionin e të hollave në llogari të dy bizneseve.

Sipas njoftimit të policisë, i dyshuari i dytë analist bankarë, ka ekzekutuar urdhrin verbal të menaxherit të kësaj banke duke transferuar 24 mijë euro nga llogaria e të dëmtuarës (të cilën paraprakisht e kishin ngarkuar me kredi prej 25 mijë euro pa dijeninë e saj), nga 12 mijë  euro për secilin biznes, shkruan Arbresh.info.

Pas veprimeve të kundërligjshme të të dyshuarve, kredia në emër të dëmtuarës është ngarkuar me procedurë përmbarimore, e më pas është kallëzuar penalisht në Prokurori nga banka, edhe pse ky subjekt nuk ka ofruar asnjë provë që dëshmon se në emër të saj është realizuar kredia prej 25 mijë euro.

Policia bën të ditur se të dyshuarit e lartë cekur, me veprimet e tyre të dëmtuarës i kanë shkaktuar dëm duke e ngarkuar me kredi fiktive, përfshirë edhe përmbarimin pa dijeninë e saj. Të njëjtit janë intervistuar në prani të mbrojtësve, ndërsa me Aktvendim të Prokurorit u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, përderisa hetimet për rastin do të vazhdojnë në aspektin financiar, në drejtim te zbardhjes së shumës prej 25 mijë  euro./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale