Arben Vitia: LVV po bën maksimumin që të shmangen zgjedhjet

11:50 | 3 Prill 2026
E.K

Ministri i Shëndetësisë që është zyrtar në Lëvizjen Vetëvendosje, Arben Vitia ka thënë kryeministri, Albin Kurti dhe LVV-ja po bëjnë maksimumin që të shmangen zgjedhjet.

Ai tha se deri në ditën e fundit do të vazhdohet me takime, me propozime me çdo mundësi, të shmangen zgjedhjet.

“Sepse ne mendojmë se zgjedhjet nuk sjellin rezultat tjetër dhe në këtë drejtim është një humbje për shumë gjëra në raport me të mirat që mund t’u vijnë qytetarëve. Është një diçka që nuk mund të ndryshojë thellë rezultatin dhe janë harxhime shtesë për zgjedhje dhe pse të shkohet në gjithë këtë rrugëtim të panevojshëm”, tha ai.

Se zgjedhjet janë të panevojshme në këtë kohë, e tha edhe Mimoza Kusari-Lila që është ministre e kabinetit qeveritar në kuadër të marrëveshjes që ka si drejtuese e partisë politike ‘Alternativa’ me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Kostoja e shkuarjes në zgjedhje është e lartë në kurriz të qytetarëve të Republikës”, tha ajo.

Sipas Kusari-Lilës, pamjet e djeshme në Kuvend nuk përkojnë me atë që thuhet nga partitë opozitare.

“Prej largimit nga salla të subjektit më të madh opozitar, tek qasja dhe komunikimi i një drejtuesi të një subjekti tjetër opozitar, tek mos votimi i katër marrëveshjeve tjera ndërkombëtare, disi nuk po lënë përshtypjen e hapësirës dhe diskursit për bashkëpunim. E dimë dhe jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë e partisë së parë, LVV-së dhe kryeministrit Kurti, por në rast të cenimit të këtij raporti në atë formë dhe në atë mënyrë, hapësira për të pasur një konsensus të përbashkët po ngushtohet”, tha ajo, në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.