Apeli anulon vendimin e Themelores që kishte liruar të dyshuarit e kapur me rreth 1 milion euro në kufi

15:21 | 6 Mars 2026
A Z

Departamenti Special ka anuluar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe ka kthyer çështjen në rivendosje për tre të dyshuarit për shpërlarje parash: Edmir Ahmagjokaj, Aurel Kaziu dhe Ardit Laska, të cilë u ishin gjetur 1 milion euro Merdar.

Vendimi i Themelores, më 27 shkurt 2026, kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e paraburgimit, pavarësisht se të dyshuarit u kapën më 24 shkurt në pikën kufitare në Merdar me rreth 1 milion euro të padeklaruara në automjetin e tyre. Gjykata kishte argumentuar se prokuroria nuk kishte paraqitur prova të mjaftueshme për të vërtetuar dyshimin e bazuar.

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special më 27 shkurt 2026 mori vendim me të cilin ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj policit Aurel Kaziu, si dhe Edmir Ahmagjokajt dhe Ardit Laskas, të dyshuar për shpërlarje të parave rreth 1 milion euro, shumë me të cilën më 24 shkurt 2026 u kapën në pikën kufitare në Merdar.

Në vendimin e saj, Apeli tha se gjykata e shkallës së parë kishte shkelur dispozitat thelbësore të procedurës penale dhe kishte dhënë arsyetim të përgjithësuar dhe kontradiktor. Apeli konstaton se Themelorja nuk kishte bërë vlerësim të plotë të materialeve në shkresat e lëndës dhe nuk kishte dhënë arsye të mjaftueshme për të arritur në përfundimin se nuk ekzistonte dyshim i bazuar se të pandehurit kishin kryer veprën penale “Shpërlarja e parave”.

“Kolegji i kësaj gjykate ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme mbi bazën e të cilave ka arritur në përfundimin se nuk ekziston dyshim i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale Shpërlarja e parave dhe nuk ka bazë për caktimin e masës së paraburgimit kundër tyre, për shkak se nuk ka bërë një vlerësim të plotë të materialeve që gjenden në shkresat e lëndës në raport me elementet e veprës penale për të cilën dyshohen, andaj Gjykata e Apelit e ka anuluar aktvendimin e ankimuar sepse i njëjti nuk mund të qëndrojë juridikisht si i tillë”, thuhet në njoftimin e Apelit.
Sipas Apelit, aktvendimi i Themelores nuk mund të qëndrojë juridikisht dhe çështja duhet të shqyrtohet përsëri. Prokuroria Speciale do të ketë mundësinë të paraqesë prova shtesë dhe të kërkojë masa sigurie kundër të dyshuarve.