Angazhim i përbashkët për paqe dhe siguri, Gërvalla priti në Prishtinë homologun nga Mbretëria e Bashkuar, David Lammy

21:44 | 1 Prill 2025
K.B

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, priti sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, gjatë vizitës së tij zyrtare në Kosovë.

Kjo vizitë thekson angazhimin e përbashkët për forcimin e lidhjeve mes dy shteteve dhe avancimin e paqes e stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

“Përveç arritjeve të rëndësishme të Kosovës, si forcimi i shtetit ligjor dhe demokracisë, zhvillimi ekonomik dhe integrimi ndërkombëtar,  Gërvalla e informoi Sekretarin Lammy për sfidat e sigurisë në Ballkan, përfshirë veprimet destabilizuese të Serbisë dhe ndikimin rus, të cilat vazhdojnë të rrezikojnë stabilitetin rajonal”, thuhet në njoftimin nga MPJD-ja.

Gërvalla theksoi se vetëm përmes veprimeve të përbashkëta me aleatët mund të sigurohet ruajtja e paqes dhe stabilitetit, jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin dhe më gjerë.

Partneriteti mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar do të vazhdojë të forcohet dhe të thellohet, me fokus në përmirësimin e bashkëpunimit në fushat e sigurisë, ekonomisë dhe politikës ndërkombëtare./Arbresh.info/

LEXO EDHE:

Osmani pret nesër në takim Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy

Shpërndaje në rrjete sociale