Ambasada e Francës në Kosovë ka bërë të ditur se ministri i deleguar për Evropën, Benjamin Haddad, po zhvillon një vizitë pune në Kosovë nga 26 deri më 28 korrik 2026, me qëllim forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve.
Gjatë vizitës, Haddad është takuar me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, si dhe me përfaqësues të partive kryesore të përfaqësuara në Kuvend.
Sipas Ambasadës, gjatë vizitës janë nënshkruar pesë marrëveshje dhe konventa. Ndër to është një hua investuese prej 60 milionë eurosh nga Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD), për financimin e infrastrukturës së qëndrueshme për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Projekti përfshin renovimin dhe zgjerimin e kampusit studentor të Universitetit të Prishtinës dhe modernizimin e infrastrukturës sportive në 13 institucione arsimore në Prishtinë. Projekti do të plotësohet edhe me grante në vlerë totale prej 1.2 milionë eurosh.
Gjithashtu, është nënshkruar një letër qëllimi për Lojërat Mesdhetare 2030, si dhe dy konventa për ndihmë juridike reciproke dhe ekstradim, me synim forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe krimit kibernetik.
Një marrëveshje administrative është nënshkruar edhe për forcimin e mësimit të gjuhës frënge në Kosovë dhe nxitjen e mobilitetit dhe shkëmbimeve arsimore.
Gjatë vizitës, ministri Haddad është takuar edhe me pjesëtarët francezë që shërbejnë në KFOR dhe ka vizituar Graçanicën dhe Manastirin e Graçanicës.
Ambasada e Francës ka theksuar se vizita është një mundësi për të ritheksuar përkushtimin e Francës për një Kosovë të pavarur, sovrane dhe multietnike, si dhe lidhjet e miqësisë mes dy vendeve./Arbresh.info
LEXO EDHE:
Marrëveshja me Francën për Lojërat Mesdhetare, mbi 40 mijë studentë e nxënës përfitojnë nga projekti
Kurti priti në takim Selën, flasin për rrugën Prizren – Teto...
Kosovarët dynden drejt bregdetit shqiptar, fluks i shtuar au...
“Vepra arti, ikona dizajni dhe asgjë më shumë”, ...
Pesë persona arrestohen pas sekuestrimit të armëve në rajoni...
“Nëna Salë dhe gjyshi Hamit të krijuar në copa letre”, i riu...
Pas Uellsit edhe Federata e Futbollit gati për t’i hequr mbë...