Albin Kurti vlerëson sukseset e studiuesit Ardian Jusufi në inteligjencën artificiale

18:08 | 31 Korrik 2026
E H

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në Zyrën e Kryeministrit studiuesin dhe profesorin ndërkombëtar me bazë në Universitetin e Cyrihut, Dr. Ardian Jusufi.

Kurti ka bërë të ditur se me Jusufin ka diskutuar për mundësitë që ofron fusha e inteligjencës artificiale dhe robotikës, si dhe për mënyrat e avancimit të këtij sektori në Kosovë.

Sipas Kurtit, Dr. Ardian Jusufi ka arritur suksese të rëndësishme në fushën e inteligjencës artificiale dhe robotikës së frymëzuar nga biologjia, ndërsa së fundmi është përzgjedhur në listën e ngushtë të nominimeve të Falling Walls Foundation për zbulim shkencor.

Kurti ka theksuar se Jusufi ka doktoruar në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley, ndërsa studimet postdoktorale i ka zhvilluar në Universitetin e Kembrixhit dhe Universitetin e Harvardit.

“E mirëpres bashkëpunimin me Dr. Ardianin, i cili përfaqëson një shtyllë të rëndësishme në rritjen e Kosovës në të ardhmen, si pjesëtar i mërgatës i cili ka arritur suksese jashtë dhe është i përkushtuar të kontribuojë në zhvillimin e vendit tonë”, ka shkruar Kurti.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për potencialin që ka Kosova në zhvillimin e teknologjive të reja dhe përfshirjen e ekspertëve nga diaspora në fusha strategjike për zhvillimin e vendit.