Deputetët Haxhi Shala dhe Ismajl Kurteshi akuzohen për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm.
Aktakuza që rëndon mbi deputetët e Kuvendit të Kosovës, Haxhi Shala (Nisma për Kosovën) dhe Ismajl Kurteshi (Vetëvendosje), do të duhet edhe njëherë të kalojë testin e kalueshmërisë në Gjykatën Themelore pasi që Gjykata e Apelit e ka anuluar vendimin e gjykatës së instancës së parë.
Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë ndaj deputetëve Shala dhe Kurteshit më 6 janar të vitit të kaluar nën akuzën e përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm.
Avokatët mbrojtës të të akuzuarve kishin paraqitur kundërshtimet e tyre ndaj kësaj aktakuze mirëpo Gjykata Themelore me aktvendim i kishte hedhur poshtë, duke i cilësuar kundërshtimet si të pabazuara.
Të pakënaqur me vendimin e Gjykatës Themelore, që i refuzoi kundërshtimet ndaj aktakuzës, avokati i Haxhi Shalës, Naser Sopjani, iu drejtua Gjykatës së Apelit.
Gjykata e shkallës së dytë ka miratuar ankesën e tij, duke e rikthyer në rivendosje këtë aktakuzë.
“Aktvendimi i Gjykatës Themelore është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase në bazë të pretendimeve të mbrojtësit, Gjykata e shkallës së parë ka refuzuar kërkesën për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, mirëpo në arsyetim nuk ka dhënë arsyet konkrete të refuzimit por vetëm ka bërë parafrazimin e dispozitave ligjore”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.
Me vendimin e saj, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, Gjykata e Apelit e obligon Gjykatën Themelore që të evitojë shkeljet e evidentuara dhe të arsyetojë vendimin e saj për refuzimin e kundërshtimeve të aktakuzës.
Deputeti Haxhi Shala ishte arrestuar më 30 nëntor të vitit 2015 nën dyshimin për hedhje të gazit në Kuvendin e Kosovës.
Hapet në BQK ekspozita “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngj...
Arrestohet në Kosovë një person me urdhërarrest ndërkombëtar...
Mourinho optimist para përballjes me Real Madridin
Prokuroria Speciale arreston një person për dhënie ryshfeti ...
Sekuestrohet një armë zjarri në Kaçanik, shoqërohet në polic...
Szoboszlai në radarin e Realit – Liverpooli i ofron kontratë...