Aksidenti në autostradën “Ibrahim Rugova”, viktima është veprimtari Lumni Lushaj

18:55 | 18 Nëntor 2025
E.G

Ka ndërruar jetë veprimtari dhe humanisti hasjan, Lumni Lushaj, si pasojë e një aksidenti trafiku.

Lushaj ishte një personalitet i çmuar, i cili ia kushtoi jetën çështjes shqiptare. Kontributi i tij në çlirimin e Kosovës, angazhimi i pandalshëm në shoqatën “Hasi” dhe përkushtimi për organizimin e komunitetit shqiptar në Kroaci – që nga vitet ’90 e deri sot – do të mbeten përherë pjesë e kujtesës dhe mirënjohjes së përbashkët.

I ndjeri ishte shembull i përkushtimit, atdhedashurisë dhe sakrificës. Trashëgimia e tij do të jetojë në zemrat e të gjithë atyre që patën fatin ta njohin, por edhe tek brezat që do të ndjekin rrugën e tij. Lajmi për vdekjen e tij ka tronditur opinionin në Prizren dhe në trevën e Hasit.

Lushaj humbi jetën sot, si pasojë e një aksidenti fatal që ndodhi në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.

“Rreth orës 11:40, policia është njoftuar për një aksident trafiku të ndodhur në autostradë, në drejtim Prizren–Suharekë, kilometri i 32-të. Në aksident është përfshirë një veturë dhe dyshohet se një person është pa shenja jete dhe një tjetër ka pësuar lëndime”, ka deklaruar Krasniqi.

Shpërndaje në rrjete sociale