Aksident në Gjilan, goditet një veturë e parkuar – drejtuesit e mjetit largohen nga vendi i ngjarjes

10:01 | 24 Korrik 2025
E.K

Një veturë e parkuar në pronë private është goditur nga një automjet tjetër, drejtuesit e të cilit janë larguar nga vendi i ngjarjes pa dhënë asnjë informacion apo kontakt.

Sipas pronarit të veturës së dëmtuar, i cili ka siguruar pamjet nga kamerat e sigurisë, në aksident është përfshirë një BMW X5, brenda së cilës ndodheshin dy persona.

Pronari i veturës së dëmtuar ka kontaktuar redaksinë tonë, duke ndarë detajet e rastit dhe duke dërguar edhe dy fotografi, ku shihet dëmi i shkaktuar në automjetin e saj, shkruan Arbresh.info

Pronari i veturës i ka bërë thirrje publike drejtuesve të mjetit që të lajmërohen dhe të marrin përgjegjësinë për dëmin e shkaktuar.

“Sonte, më 23 korrik, rreth orës 01:25 pas mesnate, vetura ime e parkuar para shtëpisë në pronë private ,në rrugën Halim Orana në Gjilan, është goditur nga një veturë tjetër. Personat që e kanë shkaktuar aksidentin janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, pa lënë asnjë informacion apo kontakt. Nga kamerat e sigurisë kemi siguruar pamje ku shihet qartë vetura që ka shkaktuar dëmin – një BMW X5, si dhe dy personat që ndodheshin brenda saj. U bëj thirrje atyre që ishin në veturë që të lajmërohen sa më parë dhe të marrin përgjegjësinë për dëmin e shkaktuar. Nëse nuk marr ndonjë përgjigje, do të jem i detyruar t’i publikoj pamjet dhe të ndjek rrugën ligjore përmes organeve përkatëse. Faleminderit për mirëkuptimin”, tha ai.

Arbresh.info ka kontaktuar Policinë e Kosovës për të marrë një konfirmim zyrtar rreth rastit, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje./Arbresh.info