Abdixhiku pritet me entuziazëm të madh nga bashkatdhetarët në Zvicër

22:11 | 7 Maj 2022
Fjolla Bajraktari

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i shoqëruar nga Ekipi Politik për Mërgatë, sot nisi ciklin e tubimeve dhe takimeve me bashkatdhetarë. Me këtë rast, kryetari Abdixhiku vizitoi Degën e LDK-së në Zvicër, ku u prit me entuziazëm të madh nga anëtarë e strukturat të LDK-së, si dhe bashkëatdhetarë të shumtë.

Kryetari Abdixhiku, në fjalën e tij hyrëse tha se është nder e kënaqësi e veçantë që vizitën e tij të parë në mërgatë ta nis në këtë takim madhështor në Zvicër, duke bashkëbiseduar e komunikuar me njerëzit punëtorë, të drejtë, atdhetarë, patriotë e kontributdhënës të të gjitha kohërave, përkatësisht me ata që dhanë e japin kontribut të madh në çdo etapë zhvillimore të Kosovës.

Sa i përket organizmit të brendshëm politik, kryetari Abdixhiku i njoftoi të pranishmit me angazhimin e LDK-së në këtë proces, ku spikati Konventën Programore “Lidhja për të Ardhmen”, ciklin e takimeve siç është ky i sotmi, procesin e regjistrimit të anëtarësisë, pastaj procesin zgjedhor në Forum të Gruas dhe Forum Rinor si dhe zgjedhjet e parakohshme në 11 degë, me ç’rast tha se krejt këto aktivitetete janë funnksion të ringritjes së mëtejme të LDK-së.

Ndër të tjera, kryetari Abdixhiku, shtroi ftesën për besëlidhje duke argumentuar se kështu ringritemi të gjithë për një qëllim – për të ardhmen e atdheut në familjen Evropiane.

Kryetari Abdixhiku, potencoi se në platformën politike “Lidhja për të Ardhmen”, vend të merituar do të zë mërgata, ku edhe përmendi nisma e projekte konkrete në këtë drejtim, ndërkaq theksoi se mërgimtarët kanë rol thelbësor edhe në përmbylljen e misionit historik për Kosovën shtet të pavarur e sovran, të anëtarësuar në NATO e BE dhe me miqësi të përhershme me SHBA-të.

Në të njëjtën frymë, kryetari Abdixhiku, tha se duke qenë bashkë e krah njëri tjetrit do t’i japim vetes një familje të fortë politike, ndërsa Kosovës, fëmijëve tanë e gjeneratave të tjera, një të ardhme euroatlantike.

Sa i përket situatës politike në vend, kryetari Abdixhiku, theksoi se Republika e Kosovës sot udhëhiqet nga mosbesues të saj të cilët janë peng të popullizmit, arrogancës së pushtetit që i ka krejt e nuk jep asgjë për qytetarët. Ndërsa për rolin e qasjen e pushtetit në politikë të jashtme dhe në procese integruese, kryetari Abdixhiku tha se ky pushtet popullist ka lëkundur themelet e aleancave të ndërtuara në dekada./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme

Foto lajm