AAK: Kosova ka pjesëmarrje të ulët në arsim

17:28 | 12 Prill 2015
M. A.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerëson se në Kosovë ka pjesëmarrje të ulët në arsim, sidomos në atë të detyruar. 

Për këtë subjekt kjo gjendje paraqet një shqetësim të madh.
Sipas tyre, plani qeverisës për arsim nuk përmban gjë tjetër përveç synimeve që nuk dihet se si do të realizohen.
AAK, përkatësisht Departamenti për Arsim i këtij subjekti, vlerëson se testi i arritshmërisë dhe ai i maturës kanë konfirmuar se cilësia e Arsimit në Kosovë, aktualisht është shumë e ulët.
Madje, sipas tyre, në universitete po ndodhë një politizim i skajshëm.
AAK ka dalë sot përpara mediave me vërejtjet e tyre lidhur me programin qeverisës dhe, siç thanë ata, me mos zbatimin e ligjeve në arsim.
Kryetari, Ramush Haradinaj shpalosi dy çështjet, që sipas tyre paraqesin shqetësim, e që janë mos zbatimi i ligjit për pjesëmarrje arsim, dhe gjithëpërfshirja në këtë të fundit.

“Ajo që na shqetëson shumë është moszbatimi i ligjit për pjesëmarrje në arsim, në arsimin fillor ku ka plot fëmijë që janë jashtë shkollave. Gjithëpërfshirja pra është një problem serioz në arsim. Problem tjetër është mos zbatimi i ligjit dhe mos zbatimi i plan programit, njëkohësisht si shqetësim e kemi edhe politizimin e arsimit në të gjitha nivelet”, tha ai.

E Kryesuesi i Departamentit për arsim në AAK, Jonuz Salihaj tha se programi qeverisës nuk ka gjë tjetër veç synimeve, që siç tha ai, nuk kanë as afat kohorë për realizmin e tyre.

Për të, shqetësuese mbetet përqindja e pjesëmarrësve në arsimin parashkollorë, që siç tha ai, është më e ulëta në Europë, vetëm 3 për qind.
“Ne kemi të bëjmë me një pjesëmarrje shumë të ulët në arsim, sidomos në këtë nivelin e arsimit të detyruar. Qeveria ka pasë propozuar edhe ligjin për arsimin parauniversitar, me ligj është specifikuar që do të jetë çdo fëmijë i përfshirë në arsim. Ne kemi sot shumë fëmijë të pa përfshirë, sidomos në arsimin e mesëm të ulët, e mos të flasim për arsimin e mesëm të lartë që nuk është obligative ende. Shqetësuese është përqindja në arsimin parashkollorë që është tepër e ulët, më e ulëta në Europë, vetëm 3 për qind.”, tha ai.

Programin qeverisës e quajti program teorik i cili, sipas tij, po përsëritet me atë të 2008-ës.

Salihaj, kritikat e tij e drejtor tek ministri, Arsim Bajrami, ku tha se me propozim ligjin e bërë, për të ndryshuar ligjin për provimin përfundimtar të maturës, e ka vendosë Kosovën jashtë të gjitha standardeve sa i përket vlerësimit.

Gjithashtu, ai tha se qeveria nuk ka bërë asgjë për unifikimin e sistemit arsimor.
Sipas tij, duhet të ndryshohen shumë ligje.

AAK vlerëson se sistemi arsimor në Kosovë është i sëmurë, ka shumë te meta dhe përmban një vizion që nuk dihet kur dhe si do të realizohet.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme