A do rikthehet Vjosa Osmani në LDK?

09:14 | 26 Mars 2025
K.B

Mandati pesëvjeçar i presidentes Vjosa Osmani përfundon më 7 prill të vitit 2026.

Por, çfarë do ndodh pas kësaj date. Osmani ditë më parë në media pati deklaruar se vendimin për të garuar, apo jo edhe për një mandat tjetër do ta marrë vetëm duke pasur parasysh interesin e Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Duke marrë parasysh krisjen e raportit të saj me bashkë-partiakët, Donika Gërvalla dhe Faton Peci, cila do jetë e ardhmja e presidentes Osmani në politikë. A ekziston një mundësi e rikthimit të saj në LDK.

Lidhur me këtë çështje, njohësit e fushës politike në vend kanë dhënë qëndrime të ndryshme për Arbresh.info.

Magbule Shkodra shprehet optimiste se nëse Osmani e sheh veten në politikë pas përfundimit të mandatit të presidentes, e vetmja parti që ajo do mund të funksiononte, është LDK-ja.

“Unë besoj që nëse Osmani pas përfundimit të mandatit si presidente e sheh vetën në politikë, e vetmja parti ku ajo do të mund të vazhdonte karrierën e saj politike do të ishte LDK-ja. LDK-ja besoj që nuk do ta refuzonte një gjë të tillë, duke shpresuar që të mos shkaktojë përsëri përçarje në elektorat dhe të duket si një parti që i pranon të gjithë afër vetës”, thotë Shkodra.

Por, sipas saj, Osmani do të rikthehej në LDK vetëm me synimin për ta udhëhequr këtë parti.

Nëse LDK-ja, sipas Shkodrës dëshiron të vërtetojë se është parti ku demokracia brenda partisë është e avancuar, do të duhej ta pranonin një gjë të tillë.

Por, krejt ndryshe mendon analisti Artan Muhaxhiri, ku sipas tij, udhëheqja me një parti dallon skajshmërish nga posti presidencial.

Ai thotë se do të ishte jashtëzakonisht e vështirë për presidenten Osmani që kaq shpejt të përshtatej në një rol të tillë.

“Do t’i duhej që nga simbolikat dhe komfori i Presidentes të zbriste në pragmatizmin e çdoditshëm të strukturave partiake. Nga perspektiva e Presidentes Osmani një lëvizje e tillë do të kishte kuptim vetëm nëse LDK-ja do të ishte partia e parë, eventualisht pjesë e Qeverisë. Ndërsa për LDK-në do të bënte sens sikur të ishte parti në krizë të madhe dhe ta shihte në të një opsion për rimëkëmbje. Për këtë arsye, në situatën e tashme nuk ka gjasa që Presidentja Osmani të rikthehet në LDK. Kryetari Abdixhiku synon pozitën e kryeministrit dhe është duke e fuqizuar një strukturë të re rreth tij”, thotë Muhaxhiri.

Siç pohon ai, shumë prej personaliteteve të rëndësishme të partisë nuk ia kanë harruar asaj bashkëpunimin me kryeministrin Kurti në vitin 2021, që ka rezultuar me rënien e LDK-së në 12.7 për qind.

“Nga viti i ardhshëm do të diskutojmë për këtë çështje. Gjatë gjithë karrierës sime politike, kam punuar gjithmonë duke pasur parasysh interesin e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Asnjëherë, asnjë vendim imi politik nuk është bazuar në kalkulime për atë se ku do të jem unë, por vetëm se ku do të jetë Kosova dhe qytetarët e saj”, kishte thënë Osmani kur u pyet për një mandat të dytë.

Në shtator të vitit 2020, Vjosa Osmani u largua përfundimisht nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Osmani kishte lëshuar akuza në drejtim të LDK-së, duke pohuar se kjo parti nuk ka ruajtur parimet e themeluesit të saj, Ibrahim Rugova.

“Në një Kosovë që për 20 vjet ka degraduar, ku njerëzit mendojnë si të ikin, duhet ta kemi të qartë se kemi të bëjmë me dy pole të kundërta. Kurdo që mbahen zgjedhjet e ardhshme, duhet të ketë një ndarje të qartë ndërmjet një grupi të njerëzish që janë kapës të shtetit dhe të njerëzve që kanë vullnet e guxim që ta largojnë kapjen e shtetit. Ky është kualifikimi i dokumenteve të BE-së për një shtet të kapjes, krimit e korrupsionit në nivelet më të larta qeveritare. LDK-ja ku jam rritur ma ka mbyllur çdo derë dhe tash ajo angazhohet në një fushatë denigruese dhe përdorin gjuhë të turpshme. Unë duhet t’i shqyrtoj mundësitë e mia për angazhim politik, por jo të aderoj në një parti tjetër, por të shikohet nëse ka mundësi të krijohet një parti e re. Nuk do të aderoj në një parti tjetër, po shikojmë drejt themelimit të një bashkimi të forcave të intelektualëve në një iniciativë qytetare”, kishte deklaruar Osmani atëkohë.

Pas largimit nga LDK-ja, Osmani formoi partinë Guxo në vitin 2020, bashkë me Donika Gërvallën dhe Faton Pecin.

Në zgjedhjet e vitit 2021, Osmani kandidoi për president të Kosovës me mbështetje nga partia e saj dhe disa forcave politike të tjera.

Pas fitores së Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, Vjosa Osmani u zgjodh presidente e Kosovës.

Rikthimi i Osmanit në LDK mund të ndikonte ndjeshëm në politikën e Kosovës, dhe do të kërkonte një lloj pajtimi të thellë me të kaluarën dhe ndryshime të mëdha në orientimin e partisë./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme