90 shkolla po mbajnë mësim online, thonë nga MASHT-i

14:09 | 28 Janar 2022

Në Kosovë të infektuar me COVID-19 aktualisht janë 1 mijë e 489 mësimdhënës dhe 6 mijë e 687 nxënës, ka bërë të ditur zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku-Bërdyna.

Por, ajo nuk ka pasur të dhëna sa i përket numrit të nxënësve të cilët tashmë janë vaksinuar kundër virusit.

Maloku-Bërdyna ka treguar rreth infektimit të mësimdhënësve dhe nxënësve bazuar në të dhënat e datës 28 janar që janë dorëzuar nga drejtoritë komunale.

“Nga 23 mijë e 90 mësimdhënës sipas të dhënave që ka dërguar drejtoritë komunale me COVID-19 kanë gjithsej 1489 mësimdhënës. Nga 298 mijë e 29 nxënës, aktiv me Covid-19 janë 6 mijë e 687. Ndërsa sa i përket numrit të shkollave sipas raportimeve që i kemi marrë nga terreni të dhënat janë këto, me skenarin rikthimi pra me prani fizike dhe me orar të plotë janë gjithsej 672 shkolla, që i bie që shumica e shkollave ende vazhdojnë të operojnë me skenarin rikthimi. Me skenarin A në total i kemi shtatë shkolla, në skenarin B që kombinon prezencën fizike dhe atë online i kemi pesë shkolla, ndërsa skenari C ose kalimi në mësimdhënie online është gjithsej 90 shkolla”, ka thënë zëvendësministrja e Arsimit.

 

Lajmet më të lexuara