Shpërthimi në Zveçan, Sveçla: Shteti do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri për të siguruar të gjithë qytetarët

13:20 | 1 Prill 2025
E.G

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas shpërthimit me granata dore në objektin e postës në Zveçan.

Me anë të një postimi në Facebook ka shkruar se shteti do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri për të siguruar që të gjithë qytetarët.

“Shteti do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri për të siguruar që të gjithë qytetarët, pa dallim, të jetojnë në një mjedis të sigurt dhe të lirë”, ka shkruar Sveçla.

Ai po ashtu në postimin e tij e ka bashkangjitur edhe reagimin e kryeministrit të vendit, Albin Kurti i cili tha se sulmi ka elemente terroriste.

“Me shqetësim të thellë dhe vendosmëri të palëkundur për të mbrojtur stabilitetin dhe rendin kushtetues, dënojmë fuqishëm sulmin me elemente terroriste ndaj objektit të Postës së Kosovës në Zveçan, i kryer sot me datë 1 prill 2025. Ky akt dhune është një orvatje për të cenuar sigurinë dhe për të penguar integrimin e qytetarëve në sistemin ligjor dhe institucional të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kurti.

Ndryshe, sot rreth orës 00:20 persona të panjohur kanë hedhur dy granata dore në objektin e Postes se Kosovës në Zveçan.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se si pasojë e shpërthimit të njërës granatë janë shkaktuar dëme materiale, mirëpo nuk është raportuar për të lënduar./Arbresh.info/