Pasditen e së enjtes ka nisur largimi i barrikadave në fshatin Rudarë, i cili gjindet në komunën e Zveçanit.
Rrugët kryesore që çojnë drejt Jarinjës dhe Bërnjakut – pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë – ishin bllokuar që nga 10 dhjetori.
Se barrikadat do të largoheshin bëri të ditur të enjten presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova.
Vuçiq takoi ata mbrëmjen e 28 dhjetorit në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën.
Për 20 ditë rresht rrugët kryesore në veri mbetën të bllokuara për qarkullim. Përveç veriut, më 27 dhjetor një barrikadë tjetër u vendos në territorin e Serbisë, në afërsi të kufirit të Kosovës me Serbinë në Merdare.
Serbët lokalë në komunat Mitrovicë Veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, ngritën barrikadat në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq.
Institucionet e Kosovës thanë se Pantiq dyshohet për organizimin e sulmit të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Më 28 dhjetor, Pantiqit iu zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.
Vendosja e barrikadave nxiti tensione të shumta në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Serbia vendosi në gatishmëri ushtrinë si dhe rriti prezencën ushtarake në vijën kufitare me Kosovën, përkatësisht në Rashkë të Serbisë.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan vazhdimisht largimin e barrikadave si dhe respektim të marrëveshjeve të Brukselit./REL


Vetura godet fëmijën në Zhabar të Mitrovicës
Rezerva Federale e SHBA-së mban normat e interesit pavarësis...
Kos: Kufizimi i pavarësisë së gjyqësorit, hap prapa për Serb...
Trump: Irani të arrijë një marrëveshje ose sulmi i ardhshëm ...
Emilja Rexhepi: Nuk jam analiste ta analizojë, por e respekt...
Përveç zgjedhjes së Dolces, “Vëllai i Madh” ia lë në dorë pu...