Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, ka zbardhur detaje nga marrëveshja trepalëshe për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes që u firmos mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë në Tiranë.
Pakti që ka ndezur reagime të forta në Beograd, sipas Vengut, është një aleancë e natyrshme midis tre vendeve që përballen me kërcënime të ngjashme për sigurinë e tyre.
“Nisma nuk është aspak e diskutueshme. Është një aleancë trepalëshe krejt e natyrshme, fillimisht e artikuluar para një viti në tryeza të përbashkëta rajonale të stafeve të Ministrive të Mbrojtjes dhe nga paraardhësi im me homologun kroat. E rishtruar në Ministerialin e fundit që patëm në NATO në fillim të këtij viti ku pata një takim me homologun kroat dhe konsultime të përbashkëta me homologun kosovar. Erdhi natyrshëm si rezultat i leximit të njëmend të kërcënimeve që i kanosen rajonit nga pikëpamja e sigurisë dhe mbrojtjes, ndërhyrjeve të pala të treta në rajon, kërcënimet hibride, nga pikëpamja kibernetike, nga pikëpamje e influencimit dhe dezinformimit në debatet tona publike. Pra një sërë elementesh që i lexojmë njësoj”, tha Vengu në A2CNN.
Në vijim, ministri shqiptar i Mbrojtjes u shpreh se një nismë e tillë i shkon për shtati rrugëtimit të Kosovës drejt NATO-s dhe BE-së, pasi gëzon mbështetjen e dy vendeve anëtare të Aleancës në çdo diskutim që bëhet në paradhomat e saj.
“E dyta, ne e mbështesim Kosovën si dy vende aleate, anëtare të NATO-s. Kosova është e njohur nga Kroacia dhe për ne përbën një prioritet nga pikëpamje s sigurisë kombëtare dhe e politikës sonë të jashtme dhe sa herë na jepet mundësi ta mbështesim Kosovën në tryeza rajone, të cilat janë paradhomat e anëtarësimit në BE dhe NATO, ne e bëjmë në mënyrë konsistente. Dhe një nga pikat e marrëveshjes trilaterale është mbështetja e palëkundur e Kroacisë dhe Shqipërisë për ecurinë e Kosovës në këto nisma rajonale, siç është Karta e Adriatikut e cila është efektivisht paradhoma e një vendi para se të anëtarësohet në NATO”, deklaroi ministri shqiptar.
I pyetur nëse Kroacia dhe Shqipëria janë konsultuar me NATO-n dhe ShBA-në për t’i dhënë jetë kësaj aleance ushtarake, Vengu tha se aleatët dhe partnerët strategjikë kanë qenë të informuar për hapat e ndjekur.
“Ne nuk kemi ndërtuar një bashkëpunim kundër një pale tjetër. Ky është bashkëpunim mes tre vendeve sovrane. Për pasojë ne nuk kemi pse konsultohemi me palë që nuk janë pjesë e kësaj marrëveshje. Kjo nuk do të thotë që ne nuk informojmë aleatët tanë apo partnerët tanë strategjikë për përmbajtjen e kësaj marrëveshje që në krye të herës. Dhe kjo nuk nënkupton se ne nuk informojmë dhe aktorë të tjerë që duhet të jenë të informuar për qëllimet e kësaj marrëveshje”, tha Vengu.
Në përfundim, Vengu sqaroi se ajo me Kosovën dhe Kroacinë është marrëveshje e hapur dhe jo e mbyllur vetëm për tre shtete, ndaj ka diskutime dhe konsultime me të tjera vende për t’u bërë pjesë e saj.
“Ne synojmë pse jo të kemi edhe anëtarë të tjerë, me të cilët kemi konsultime, qoftë anëtarë aktualë të BE-së dhe të NATO-s, të cilët kanë një këndvështrim të njëmend sa i përket rreziqeve të sigurisë dhe mbrojtjes në Evropën Juglindore”, sqaroi Vengu. /A2cnn
Zulfaj: I kemi votat për president, vetëm duhet pjesëmarrja ...
Ushtria amerikane pretendon se ka devijuar 27 anije nga bllo...
Rreziku nga lëndët plasëse,Komisioni për Siguri shqyrton pro...
Rama ndan video nga takimi me Presidentin e Emirateve të Bas...
Real Madridi e fiton UEFA Youth League
Pas fitores së madhe, Selin ndez rrjetin me një foto me DJ G...