Për herë të parë në vendin tonë është organizuar Forumi Itali–Kosovë për Agro Biznes, ngjarje që synon forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, me fokus të veçantë në sektorin e agrobiznesit.
Në këtë forum morën pjesë kryeministri në detyrë Albin Kurti, ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, ministrja në detyrë e Indrustrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja si dhe përfaqësues të bizneseve dhe institucioneve nga të dyja vendet.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se ky forum paraqet një platformë të rëndësishme për krijimin e partneriteteve afatgjata ndërmjet Kosovës dhe Italisë.
“Kam kënaqësinë që t’ju mirëpres sot në kuadër të Forumit të Agrobiznesit, një platformë kjo e cila i sjell së bashku institucionet, kompanitë dhe sipërmarrësit nga dy vende mike me qëllim krijimin e partneriteteve sa konkrete, aq edhe afatgjata”, tha Kurti.
Ai falënderoi Shoqatën Italiane të Fermerëve, Associazione Italiana Coltivatori (AIC), presidenten Giuseppino Santoiani dhe partnerët organizatorë të forumit.
Kurti theksoi se Italia mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm të Kosovës në ekonomi, diplomaci dhe siguri, ndërsa shtoi se tani është koha që bashkëpunimi të thellohet edhe më shumë në dimensionin ekonomik dhe prodhues.
“Sektori agro-ushqimor italian është ndër më të zhvilluarit në Evropë dhe me kohë është bërë shembull i lidhjes së traditës me cilësinë dhe inovacionin”, deklaroi ai.
Ai shtoi se Kosova ofron stabilitet makroekonomik, sistem financiar e fiskal të qëndrueshëm dhe klimë të favorshme për investime.
“Kosova është e hapur për investime, për ide të reja dhe për partneritete serioze ekonomike”, u shpreh Kurti.
Ministrja në detyrë Mimoza Kusari-Lila tha se pjesëmarrja e bizneseve italiane në forum është sinjal i qartë i interesit për ndërtimin e partneriteteve afatgjata ekonomike.
“Ky forum është një hapësirë konkrete për dialog ekonomik, për shkëmbim përvojash dhe për ndarje të praktikave më të mira në fushën e bujqësisë, agroindustrisë dhe sigurisë ushqimore”, tha Kusari-Lila.
Ajo bëri të ditur se vetëm gjatë vitit 2025 eksportet e Kosovës drejt Italisë kanë arritur në 29 milionë euro, ndërsa importet nga Italia kanë tejkaluar 369 milionë euro.
Ndërkaq, ministri i Bujqësisë, Armend Muja, tha se Italia është një nga superfuqitë kryesore në përpunimin e ushqimit dhe përvojat e saj mund të shërbejnë si model për Kosovën.
“Që nga ky vit, do të fillojmë me një strukturë të re, një politikë të re dhe më moderne të bujqësisë që mbështet prodhimin dhe mbështet bujqësinë organike, ku ne mendojmë që Kosova ka një potencial të jashtëzakonshëm”, tha Muja.
Ai potencoi se sektorët si përpunimi i drithërave, qumështi, përpunimi i frutave dhe perimeve, si dhe prodhimi dhe përpunimi i mishit, paraqesin potencial të madh për bashkëpunim me Italinë./rtk
Zvicër, zbulohen 356 mijë euro të fshehura në tren – n...
Pacolli denoncon dy raste të dyshimta të shpronësimit
Protesta e studentëve në Shkup për gjuhën shqipe, policia li...
Përfaqësimi i grave në zgjedhjet 2025 mbetet i ulët, kërkohe...
GAP: Komunat paguan 126.6 milionë euro për vendime gjyqësore...