2025-ta vit i njohjeve: Katër shtete njohën shtetësinë e Kosovës

20:22 | 20 Dhjetor 2025
R J

Kosova dhe Bahama sot nënshkruan edhe Marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Pas një ngecjeje në njohje të shtetësisë, nga viti 2021 kur Kosova u njoh nga Izraeli, 2025-ta mund të quhet vit i njohjeve.

Përgjatë vitit 2025 janë 4 shtete që njohën pavarësinë, duke e rritur numrin e shteteve që pranojnë shtetin e Kosovës në 121.

Pas aktit të njohjes, Kosova dhe Bahama sot nënshkruan edhe Marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri i Bahamas, Philip Davis kanë vendosur nënshkrimet për marrëdhënie diplomatike, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike. Kosova dhe Bahama shprehin synimin e tyre për ta thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, përfshirë konsultimet politike, tregtinë dhe investimet, bashkëpunimin në sektorin publik, si dhe shkëmbimet ndërmjet njerëzve, në përputhje me ligjet dhe procedurat e secilit shtet respektiv.

Presidentja Osmani e cila qëndron në Nassau, kryeqytet i këtij vendi të Karaibeve, ka nënvizuar se përmes këtij akti Kosova forcon subjektivitetin ndërkombëtar dhe zgjeron rrethin e shteteve mike, që besojnë në vlerat e lirisë, sovranitetit dhe bashkëpunimit. Kosova mbetet e përkushtuar ndaj partneriteteve të sinqerta, në shërbim të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar, shkruan Osmani.

Ndërkohë, kryeministri në detyrë , Albin Kurti, duke iu referuar njohjes së shtetësisë nga Bahama, ka theksuar se vendit po i shtohen miqësitë e reja dhe bashkë me to, edhe mundësitë e bashkëpunimit. Kurti ka vënë në pah se viti 2025 është viti i njohjeve të reja, pas një kohe të gjatë.

Njohja nga Bahama është e katërta përgjatë këtij viti për Kosovën. Shtetësinë e Kosovës gjatë 2025 e njohën dy shtete afrikane, Kenia më muajit mars, Sudani disa ditë më vonë në muajin prill, si dhe Siria nga Lindja e Mesme dy muaj më parë.

Njohjet nga këto vende vijnë pas një rënie të ritmit të njohjeve të shtetësisë së Kosovës përgjatë viteve të fundit. Shteti i fundit që e njohu atë ishte Izraeli në vitin 2021. Bahama, një shtet në Oqeanin Atlantik,të Amerikës së Veriut, është bërë tani shteti i 121-të që e njeh shtetin e Kosovës./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale