Gjykata Kushtetuese ka shpallur të papranueshme ankesën e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, kundër rregullores së mbeturinave të miratuar më 5 dhjetor 2024 nga Kuvendi Komunal.
Sipas Kushtetueses, rregullorja nuk është as ligj i Kuvendit të Kosovës e as akt i Qeverisë, por akt nënligjor komunal, dhe për këtë arsye nuk hyn në kompetencën e saj.
Vendimi i plotë:
Në rrethanat e rastit konkret, Kryetari i Komunës së Prishtinës kontestoi Rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për Menaxhimin e Mbeturinave nr. 01-030/01-227581/23, të miratuar nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës, më 5 dhjetor 2024. Pas miratimit të Rregullores së kontestuar, Kuvendi i Komunës së Prishtinës njoftoi Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, ku kjo e fundit e dërgoi Rregulloren e kontestuar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për shqyrtimin e ligjshmërisë si institucion përgjegjës. Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës konfirmoi ligjshmërinë e të njëjtës, me arsyetimin se Rregullorja e kontestuar është në përputhshmëri me Ligjin nr. 04/L-060 për Mbeturina dhe Ligjin 08/L-071 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-060 për Mbeturina.
Parashtruesi i kërkesës pretendoi se, Rregullorja e kontestuar nuk është në përputhje me nenet: 10 [Ekonomia], 119 [Parimet e Përgjithshme], 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës, dhe nenet 81 (Shqyrtimi i detyrueshëm i ligjshmërisë) dhe 82 (Procedura për shqyrtimin e ligjshmërisë) të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, për shkak se të njëjtës nuk i është bërë shqyrtimi i detyrueshëm i ligjshmërisë së aktit administrativ nga ana e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal. Gjithashtu, parashtruesi i kërkesës kërkoi që Gjykata (i) të deklarojë kërkesën të pranueshme; (ii) të konstatojë se ka pasur shkelje të Kushtetutës me rastin e nxjerrjes së Rregullores së kontestuar, për arsye se nuk i është bërë shqyrtimi i detyrueshëm i ligjshmërisë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal; dhe (iii) të shpallë të pavlefshme Rregulloren e kontestuar.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata fillimisht theksoi se kërkesat e dorëzuara në Gjykatë bazuar në paragrafin 4 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, duhet t’i plotësojnë kriteret kushtetuese si në vijim: (i) Komuna duhet të kontestojë kushtetutshmërinë e një ligji të Kuvendit ose të një akti të Qeverisë; dhe (ii) Komuna duhet të argumentojë se ligji ose akti i kontestuar cenon përgjegjësitë komunale ose zvogëlon të hyrat e saj. Gjykata theksoi se, në vlerësimin e pranueshmërisë së kërkesës përkatëse, çështja më esenciale është vlerësimi nëse në rrethanat e rastit konkret para Gjykatës kontestohet një “akt i Qeverisë”.
Gjykata tutje theksoi se, në kontekst të paragrafit 4 të nenit 113 të Kushtetutës, kjo Rregullore nuk përbën as “ligj” të Kuvendit të Kosovës dhe as “akt të Qeverisë”, por është një akt nënligjor i miratuar nga Kuvendi i Komunës. Andaj, duke marrë për bazë atë që akti i kontestuar nuk përmbush kriterin e parë të pranueshmërisë, meqenëse nuk është as ligj dhe as akt i miratuar nga “Qeveria”, Gjykata nuk vazhdoi me vlerësimin, nëse Rregullorja e kontestuar, e miratuar nga Kuvendi Komunal mund të ketë cenuar përgjegjësitë komunale ose zvogëluar të hyrat e saj, siç është përcaktuar në paragrafin 4 të nenit 113 të Kushtetutës.
Përfundimisht, bazuar në paragrafët 1 dhe 4 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenin 40 (Saktësimi i kërkesës) të Ligjit dhe paragrafin 1 të rregullit 71 (Kërkesa në pajtim me paragrafin 4 të nenit 113 të Kushtetutës dhe me nenet 40 dhe 41 të Ligjit) të Rregullores së punës, kërkesa u shpall e papranueshme për shqyrtim në merita./arbresh.info
OVL UÇK konfirmon protestën më 13 dhjetor në Shkup
PDK ankohet te PZAP-ja për vendimin e KQZ-së për votimin jas...
Qeveria në detyrë ndan mbi 141 mijë euro për projekte me OKB...
Putin paralajmëron nga Nju Delhi: Zgjerimi i NATO-s kërcënon...
Ambasada gjermane: Kosova ka nevojë urgjente për qeveri funk...
Ministrja Rizvanolli mban konferencë për media mbi sektorin ...