AKB: Zjarri në fabrikën e Gjakovës alarm serioz për sigurinë e bizneseve prodhuese

17:35 | 8 Janar 2026
Q L

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar pas zjarrit të madh që përfshiu sot fabrikën e prodhimit të dyshekëve në Gjakovë, duke e cilësuar këtë ngjarje si alarm serioz për sigurinë dhe mbrojtjen e bizneseve prodhuese.

Sipas AKB-së, zjarri ka shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe ka tronditur punëtorët, familjet e tyre dhe komunitetin afarist, duke përbërë një goditje për ekonominë lokale dhe sektorin prodhues, shkruan Arbresh.info.

“Aleanca Kosovare e Bizneseve kërkon reagim të menjëhershëm dhe profesional nga të gjitha institucionet kompetente, përfshirë shërbimet zjarrfikëse, organet e sigurisë dhe inspektoratet përkatëse, në mënyrë që të zbardhen shkaqet e zjarrit, të vlerësohen dëmet reale dhe të krijohen kushtet që ky biznes të rifillojë aktivitetin sa më shpejt të jetë e mundur. Mbrojtja e vendeve të punës dhe ruajtja e kapaciteteve prodhuese duhet të jenë prioritet institucional.”, thuhet në njoftim.

Kryetari i AKB-së për Rrafshin e Dukagjinit, Argjend Fetahu, ka shprehur solidaritet me menaxhmentin dhe punëtorët e fabrikës së prekur, pas kontakteve të zhvilluara me drejtuesit e kompanisë.

AKB ka kërkuar reagim të menjëhershëm nga institucionet kompetente për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit, vlerësimin e dëmeve dhe krijimin e kushteve për rifillimin sa më të shpejtë të aktivitetit të biznesit, duke theksuar se mbrojtja e vendeve të punës duhet të jetë prioritet institucional.

“Në këto momente të vështira, solidariteti, përgjegjësia dhe veprimi i shpejtë janë thelbësore. Gjakova dhe bizneset e saj meritojnë përkrahje reale dhe jo heshtje.”, thuhet në fund të njoftimit./Arbresh.info/