13 vjet nga marrëveshja e parë Kosovë-Serbi në Bruksel

08:15 | 19 Prill 2026
E.H

Sot bëhen 13 vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes së parë mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel.

Hashim Thaçi, atëherë kryeministër i Kosovës, dhe Ivica Daçiq i Serbisë, hodhën firmën në marrëveshjen 15 pikëshe, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes të dy vendeve.

Marrëveshja e 19 prillit, ndër të tjera përmban pika që flasin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe shpërbërjen e strukturave paralele në veri.

Këto janë pikat e marrëveshjes për të cilat u pajtuan me 19 prill të 2013-ës, Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

1. Do të ketë një Asociacion/Komunitet të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Anëtarësimi në të do të jetë i hapur edhe për komunat e tjera, të cilat përmenden në marrëveshje.

2. Komuniteti/Asociacioni do të krijohet përmes statutit. Shpërndarja e tij do të ndodhë vetëm përmes një vendimi të palëve pjesëmarrëse. Garancitë juridike do të sigurohen përmes ligjit në fuqi dhe ligjit kushtetues (përfshirë 2/3 e shumicës së trupit vendimmarrës).

3. Strukturat e Asociacionit/Komunitetit do të themelohen mbi po të njëjtat baza sikurse statuti ekzistues i Asociacionit të Komunave të Kosovës, si për shembull, kryetari, zëvendëskryetari, Asambleja, Këshilli.

4. Në përputhje me kompetencat e dhëna nga Karta Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligji i Kosovës, komunat pjesëmarrëse do të kenë të drejtë të bashkëpunojnë gjatë ushtrimit të fuqive të tyre kolektive përmes Komunitetit/Asociacionit. Asociacioni/Komuniteti do të ketë qasje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, urbanizmit dhe planifikimit rural.

5. Asociacioni/Komuniteti do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore.

6. Komunitetit/Asociacioni do të k etë një rol reprezentimi në autoritetet qendrore dhe për këtë qëllim do të ketë një ulëse në këshillin konsulent të komuniteteve. Në përputhje me këtë, është paraparë një funksion monitorues

7: Në Kosovë do të ketë vetëm një forcë policore, e cila do të quhet “Policia e Kosovës”.

8: Pika tetë sqaron se “e tërë policia në veri të Kosovës do të jetë e integruar në kornizën e Policisë së Kosovës” dhe se rrogat e policëve do të jenë vetëm nga Policia e Kosovës. Anëtarëve të strukturave të tjera serbe të sigurisë do t’u ofrohen pozita përkatëse në strukturat e Kosovës.

9: Për pikën e nëntë ka patur më së shumti dallime në takimet mes dy palëve. Sipas propozimit në tavolinë në këtë pikë saktësohet se do të ketë një postë të komandantit rajonal për komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe ai do të jetë një serb i Kosovës i zgjedhur nga Ministria e Brendshme e Kosovës nga një listë, të cilët do ta paraqesin. Katër kryetarët e komunave në emër të “Bashkësisë/Asociacionit”, përbërja e Policisë së Kosovës në veri do të reflektojë strukturën etnike.

10: Sipas marrëveshjes së propozuar “autoritetet gjyqësore do të integrohen dhe punojnë në kuadër të sistemit ligjor të Kosovës. Gjykata e Apelit nga Prishtina do të themeloj një panel të përbërë nga gjykatësit serbë të Kosovës, të cilët do të merren me të gjitha komunat me shumicë serbe. Një njësi e kësaj Gjykate të Apelit do ta ketë selinë në pjesën veriore të Mitrovicës.

11: Zgjedhjet lokale në vitin 2013 do të zhvillohen me lehtësimin e OSBE-së dhe në përputhje me ligjet e Kosovës.

12: Flet për formimin e një plani të implementimit, i cili do të përmbante afate të sakta kohore, e që do të formohej deri me 26 Prill. Në implementimin e kësaj marrëveshje do të bëhej kujdes edhe për transparencën e fondeve.

13: Sipas pikës 13 palët duhet të arrihet marrëveshje për energjinë dhe telekomin para mesit të muajt qershor po të këtij viti.

14: palët pajtohen se asnjëra nuk do të bllokojë palën tjetër, apo të inkurajojë të tjeret që të bllokojnë kërkesat për anëtarësim në organizatat dhe forumet ndërkombëtare. Pikërisht kjo pikë, Sipas mediave serbe është Pika kontestuese për palën serbe, , që ka të bëjë me anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, është riformuluar dhe parasheh që Serbia dhe Kosova mos ta bllokojnë njëra-tjetrën në procesin e integrimeve europiane.

15: Ndërsa Pika e fundit e marrëveshjes thotë se do të themelohet një komision implementues nga të dyja palët me një lehtësim të Bashkimit Evropian.

Shpërndaje në rrjete sociale