Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i ka dërguar telegram urimi Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ai i ka shprehur urimet më të përzemërta me rastin e Ditës së Flamurit – 28 Nëntorit.
‘’Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, ishte ngjarja më e rëndësishme në historinë e kombit shqiptar që nga nëntori i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Dita e Flamurit – 28 Nëntori është ditë e secilit shqiptar, pavarësisht ku jeton a punon. Kjo ditë na i përkujton sakrificat e mëdha dhe luftën e përhershme që kemi bërë gjatë gjithë historisë për ta ruajtur të paprekshme frymën e qenies sonë nacionale’’ thuhet midis tjerash në urim.
Në vazhdim ju sjellim të plotë telegramin e urimit të Kryeministrit Hoti për Kryeministrin Rama
TELEGRAM URIMI
I dashur kryeministër Rama,
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju shpreh urimet më të përzemërta me rastin e Ditës së Flamurit – 28 Nëntorit.
Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, ishte ngjarja më e rëndësishme në historinë e kombit shqiptar që nga nëntori i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Në këtë ditë të shënuar, prijësit e të gjitha viseve shqiptare, në Vlorën e bekuar, e shpallën njëzëshëm Shqipërinë shtet më vete, të lirë dhe të mosvarur. Që nga ajo kohë, shqiptarët kudo janë e kanë mbajtur lart e me krenari Flamurin Kombëtar, që është simbol i unitetit, paqes dhe dashurisë së përjetshme në mes nesh.
Dita e Flamurit – 28 Nëntori është ditë e secilit shqiptar, pavarësisht ku jeton a punon. Kjo ditë na i përkujton sakrificat e mëdha dhe luftën e përhershme që kemi bërë gjatë gjithë historisë për ta ruajtur të paprekshme frymën e qenies sonë nacionale.
Sot, Republika e Shqipërisë krenohet me të arriturat e saj, veçmas me anëtarësimin në NATO dhe me afrimin drejt integrimit në Bashkimin Evropian, Këto të arritura janë frymëzim edhe për Republikën e Kosovës, që edhe ne të punojmë me vendosmëri për plotësimin e standardeve të kërkuara për anëtarësim në këto institucione. Përmbyllja e këtij procesi do të shënonte kthimin e kombit shqiptar në shtratin e vet të natyrshëm shpirtëror, kulturor edhe politik evropian.
Duke ju ripohuar ndjenjën e konsideratës sime më të lartë, i dashur Kryeministër, uroj që Republika e Shqipërisë të ketë përherë vetëm mbarësi dhe suksese!/arbresh.info/
Lulzim Hetemi emërohet zëvendësministër në Ministrinë për Ko...
Baton Zabërgja ftohet nga Kosova për ndeshjen vendimtare nda...
Pakistani kryen sulm në një spital në Afganistan, të paktën ...
Pakistani kryen sulm në një spital në Afganistan, të paktën ...
“Të gjithë e vlerësuan Mourinhon dhe Chelsean”, Henry krahas...
Kushtetuesja ka filluar shqyrtimin e dekretit të presidentes...