Shkencëtarët gjermanë ua mundësojnë ecjen minjve të paralizuar

08:36 | 22 Janar 2021

Shkencëtarët gjermanë ua kanë mundësuar përsëri ecjen minjve të paralizuar, të cilët kishin lëndime në shtyllën kurrizore, duke ua riparuar një lidhje nervore që deri tani vlerësohej si e pariparueshme te gjitarët përmes injektimit të një proteine në tru.

Lëndimet e shtyllës kurrizore te njeriu, shpesh të shkaktuara nga praktikimi i sporteve të ndryshme apo nga aksidentet në trafik, lënë shumë njerëz të paralizuar për shkak se jo të gjitha fijet nervore që çojnë informata mes muskujve dhe trurit mund të rriten përsëri.

Megjithatë, shkencëtarët e Universitetit të Bochum-it arritën që t’i stimulojnë qelizat e paralizuara nervore të minjve që të rigjenerohen duke përdorur një proteinë, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

“Gjëja e veçantë rreth studimit tonë është që proteina në të vërtetë nuk përdoret për t’i stimuluar ato qeliza nervore që e prodhojnë vetë atë, por që ajo gjithashtu bartet tutje (përmes trurit)”, tha udhëheqësi i ekipit shkencor në këtë hulumtim, Dietmar Fischer.

“Në këtë mënyrë, me një ndërhyrje relativisht të vogël, ne stimulojmë një numër shumë të madh të nervave që të rigjenerohen dhe që është arsyeja përfundimtare pse miu mund të ecë përsëri”, shtoi ai.

Fischer njoftoi se minjtë e paralizuar që e morën këtë trajtim filluan të ecin përsëri pas dy apo tri javëve.

Si pjesë e trajtimit është injektimi i bartësve të të dhënave gjenetike në tru për ta prodhuar proteinën e quajtur hyper-interleukin-6.

Udhëheqësi i ekipit hulumtues tha se janë duke bërë hulumtime për të parë nëse ky trajtim mund të përmirësohet dhe nëse ajo mund të përdoret te njerëzit.

“Ne duhet të shohim nëse kjo metodë funksionon te gjitarët më të mëdhenj. Mund t’i marrin derrat apo qentë, për shembull. Atëherë, nëse funksionon edhe me ta, ne do të duhej të sigurohemi që terapia është e sigurt edhe për njerëzit, por kjo qartazi do të marrë shumë, shumë vite”, tha në fund Fischer.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara